Shpellat e Velçës
Statusi i objektit: Janë shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë me vendim nr. 1886, datë 10.06.1973.
Viti/koha e ndërtimit: Periudha e Neolitit (7000-3100 para. Kr).
Vendndodhja: Fshati Velçë, Bashkia Selenicë.
Përshkrimi: Fshati i Velçës është i vendosur në anën e djathtë të lumit Shushicë, rreth 40 km në juglindje të Vlorës. Shpellat Neolitike të Velçës (Neoliti i vonë) janë të vendosura në një faqe shkëmbore mbi fshatin e sotshëm dhe janë një ndër vendbanimet e para prehistorike të zbuluara në vendin tonë, në periudhën midis dy luftrave botërore. Ato u vizituan nga prehistoriani italian Luigi Cardini në vitin 1936, i cili në vitin 1937 kreu gërmime brenda shpellës numer 2 ose të quajturën “Shpella e Maçit” dhe në koridorin e “Shpellës Kala”. Nga kuadratet e gërmimit që realizoi, gjeti depozitime materialesh prehistorike të periudhës së neolotit të vonë. Materialet litike përbëheshin nga çekanë guri, vegla stralli si prehëse, maja heshte dhe vegla prej kocke, ndërsa qeramika përbëhej kryesisht nga qeramika e zbukuruar me pikturim, si dhe ajo me incizim. Qeramika e pikturuar e lidh Velçën me kulturat e bregut të Jonit, ‘Maliqin I’ në pellgun e Korçës, si dhe me sitet Hagios Nikolaos e Astakos të Akarnanisë në Greqinë Jugperëndimore. Në vitin 1954 një grup arkeologësh shqiptar të Muzeut Arkeologjik-Etnografik, nën drejtimin e prehistorianit Frano Prendi kryen sondazhe në “Shpellën e Skotës”, ku përveç materialit neolitik u gjet qeramikë e bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm.
Bibliografia: K. Francis et Ali., Explorations in Albania, 1930-39. The notebooks of Luigi Cardini, Prehistorian with the Italian Archaeological Mission. The British School at Athens, 2005, f. 99-160; D. Mustilli., Relazione preliminare sugli scavi archeologici in Albania (1937-40). RAI, Rendiconti della classe di scienze morali e storiche, Roma 1942, f. 681-684; F. Prendi., Neoliti dhe Eneoliti në Shqipëri, Iliria 4, 1976, f. 21. 121; M. Korkuti., Qytetërimi Neolitik dhe Eneolitik në Shqipëri, ASHESH, Tiranë 2000, f. 214-215.
Funksioni: Vendbanim prehistorik, sot monument kulture.
Hyrja: Pa biletë.
Itinerari: Drejt shpellave neolitike të Velçës mund të shkohet me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën automobilistike që nis nga qyteti i Vlorës dhe të çon drejt fshatit Velçë, në një distancë rreth 40 km.