Shahin Abazi ishte kthyer në tmerr për bizneset në Sarandë. I riu rezulton autor i shumë grabitjeve.
21-vjeçari Abazi, banor i qytetit të Sarandës, ishte person i shpallur në kërkim për grabitjen me armë të dy karburanteve në Sarandë dhe për një sërë vjedhjesh nëpër markete e dyqane, por edhe për vjedhje motorësh. I riu po tentonte të largohej nga Saranda, me autobus drejt Tiranës, në momentin e arrestimit. Pas informacionit të marrë, Policia e Sarandës është vënë në ndjekje të autobusit dhe e ka arritur atë në aksin nacional Sarandë-Gjirokastër. Pasi ndaloi autobusin, Policia bëri të mundur prangosjen e Abazit.
Burime policore të Sarandës thanë se 21-vjeçari ka pranuar në komisariat se ka qenë ai autori i grabitjes me armë, ndodhur më 28 dhjetor të vitit të kaluar, të dy pikave të karburantit në Sarandë. Pavarësisht se pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se grabitja është kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, i riu nuk ka pranuar të japë emrat e bashkëpunëtorëve të tij. Abazi ka pranuar gjithashtu, të jetë pjesë e grupit të grabitësve me maska të marketeve dhe dyqaneve, të bëra muajt e fundit, po në qytetin e Sarandës. Ndërkohë, Abazi dyshohet të jetë autor edhe për vjedhje motorësh.
Sipas burimeve policore të Sarandës, 21-vjeçari Shahin Abazi ka qenë edhe më parë i dënuar për veprën penale të vjedhjes, ndërsa po hetohet edhe për disa ngjarje të tjera kriminale. Identifikimi i 21-vjeçarit erdhi nga pamjet e kamerave të sigurisë të pikës së karburantit.