Politikanët shqiptarë kanë fshehur pasuritë gjatë vitit 2017. Reforma në drejtësi duket se nuk ka trembur vetëm gjyqtarët dhe prokurorët, pasi ministra, zv/ministra dhe deputetë kanë tentuar t’i shpëtojnë rrjetës së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Gazeta “Sot”, ka siguruar të dhënat e ILDKP në raportin vjetor të vitit 2017 dhe aty tregohet se janë gjobitur në total 438 persona, të cilat nuk kanë deklaruar të ardhurat. Përveç kësaj janë kallëzuar penalisht 32 persona, mes të cilëve 6 deputetë, emrat e të cilëve ende nuk dihen, pasi ndryshe nga vitet e shkuara, ILDKP ka vendosur të ruajë privatësinë për çdo zyrtarë që gjendet me shkelje.
“Për periudhën 2014-2017, 262 kallëzime penale janë referuar pranë zyrës së prokurorisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe strukturave të hetimit tatimor. 74 nga 262 kallëzime penale kanë të bëjnë me vitin 2014, për vitin 2015 janë paraqitur 84 kallëzime penale, ndërsa për vitin 2016 janë 72 kallëzime penale, ndërsa për vitin 2017 u paraqitën pranë strukturave përkatëse 32 kallëzime penale. Këto referime përfshinë një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë, si anëtarë të parlamentit, gjyqtarë dhe prokurorë, ambasadorë, kryetarë bashkish, titullarë institucionesh qendrore dhe zyrtarë të tjerë. Vlen të theksohet se gjatë 2016-2017, janë 6 referime të kryera pranë organeve ligjzbatuese për deputetë”, thuhet në dokumentin e siguruar nga gazeta.
Aplikimi i gjobave
Për periudhën 2014 deri më shtator 2017, ILDKP ka aplikuar rreth 1,700 sanksione administrative me gjobë për zyrtarët publik. Për vitin 2016, janë aplikuar 314 masa administrative me gjobë, ndërsa për periudhën janar– dhjetor 2017 ka aplikuar në total 438 gjoba. Masat administrative të aplikuara nga ILDKP përfshijnë zyrtarë të lartë si ministra, zëvendësministra, deputetë dhe drejtorë të institucioneve. Në kuadër të verifikimeve që janë bërë për vitin 2017, ILDKP ka zbuluar dhe raste të konfliktit të interesit. Përgjatë periudhës shtator 2016-dhjetor 2017 ky institucion ka trajtuar dhe parandaluar 287 raste të konfliktit të interesit për zyrtarët në ushtrim të funksioneve publike. ILDKP gjatë ushtrimit të kontrolleve të plota të deklaratave të interesave private ka identifikuar rreth 112 raste zyrtarësh që kanë ushtruar funksionet në kushtet e konfliktit të interesit, duke vendosur ndaj tyre masat administrative sanksion me gjobë.
Denoncimi i korrupsionit
Përveç kontrollit, ILDKP merret dhe me procesin e luftës ndaj korrupsionit në administratë. Ky është institucioni përgjegjës për të ashtuquajturit “bilbilfryrës” ose “sinjalizues”. Këta persona mund të denoncojnë raste korrupsioni në administratë. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar krijimin e njësive përgjegjëse brenda autoriteteve publike qendrore dhe vendore me mbi 80 punonjës dhe raportimin e tyre pranë ILDKP, me qëllim përpilimin e Regjistrit Kombëtar të njësive përgjegjëse, së bashku me emrat dhe pozitën e personit përgjegjës për zbatimin e këtij ligji, në total janë 163 njësi përgjegjëse të ngritura në sektorin publik. Po ashtu, ILDKP ka marrë të gjitha masat për të siguruar krijimin e njësive përgjegjëse brenda sektorit privat në organizatat me mbi 100 punonjës, me qëllim përpilimin e Regjistrit Kombëtar të njësive përgjegjëse në sektorin privat, së bashku me emrat dhe pozitën e personit përgjegjës për zbatimin e këtij ligj, aktualisht janë 436 njësi përgjegjëse të ngritura në këtë sektor.