Në fillim lugina e Fterres, me kodrat e faqet e maleve që e rrethojnë, ka qenë shfrytëzuar si kullotë e zonë e pasur në gjueti. Vizitorët e parë që vinin herë pas here, kishin populluar bregdetin e detit Jon shumë herët.
Ata vinin nga Kalaja e Bardh (midis Borshit e Piqerasit), nga kalaja e Sopotit ose Kalaja e Borshit , nga kalaja e Qeparoit, kala që, siç dëshmojnë të dhënat arkeologjike, kanë qenë banuar qysh në kohën e bronzit (rreth 3000 vjet më parë).
Për lashtësinë e fshatit na vijnë në ndihmë të dhënat gjuhësore, emrat e vendeve, shumica e të cilave janë emra të mirëfillte shqip. Qafa e Qishes, lidhet me ekzistencën e një lagjeje në |Qafë të Qishës. Atje ka mure shtëpish që i takojnë shekullit IX-X të erës sonë.
Një grup tjetër emrash si lxuar-lxor (burim), Berda-kodër e vogël, varre-tog me gurë të vegjël etj., lidhen me ardhjen e një popullsie me origjinë sllave, ose për të qenë më të saktë, me përfshirjen e fshatit tonë nën pushtimin administrativ të shtetit Bullgar. Të tjera emra vendesh shpjegohen me ndikimin e gjuhës turke e greke, si derven, foti, hon, perivol e shumë të tjera.
Edhe toponimet Galile, |Kikë, apo emrat e njerëzve |Avrec-Jevrej, |Rahile etj., janë me prejardhje Hebreje dhe pa mëdyshje duhet të lidhen me vendosjen e ndonjë familjeje Hebre në shekullin XVII.
Dokumenti i parë i shkruar për ekzistencën e fshatit është Defteri Osman i vitit 1431 i njohur me emrin deftri i sanxhakut shqiptar( Sureti Defter-i-sancak-i-Arvanid), i cili na bën të njohur se Efteran-Ifteran-Fterra, bënte pjesë në nahijen e Sapoti, kazaja e Gjirokastrës Gjirokastra, dhe kishte në atë kohë 12 hane, familje me kryefamiljar, si dhe familje të tjera që paguanin taksa më të vogla.
Në defetrin e vitit 1583, d.m.th. pas 150 vitesh, del përsëri emri i fshatit Ifteran me 24 zjarre (shtëpi). Fshat me 60 burra. Me 30 shtëpi të krishtera. Një familje muslimane me tokë. Një familje muslimane pa tokë.Kjo tregon që myslimanizmi në Fterrë ka rrënjë më të hershme se koha e Ali Pashës. Katër beqarë. Në këtë kohë fshati i Kuçit kishte gjithsejt 20 shtëpi.Borshi 75 shtëpi.Çorraj 116 shtëpi.