Gjermanët u kanë dhënë një shuplakë të fortë ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe Partisë Demokratike. Fondacioni “Bertelsmann” ka publikuar raportin e indeksit të transformimit për Shqipërinë për vitin 2018, ndërsa ka bërë një analizë të situatës politike dhe ligjore në vend. Ky fondacion është ndër më të rëndësishmit në Gjermani, pasi jep një pasqyrim të situatës politiko-ekonomike në të gjithë vendet e botës.
Si takon indeksit, vendi ynë vlerësohet me 6.38 pikë dhe renditet në vendin e 30 nga 129, ndërsa në vitin 2016 ndodhej në vendin e 34. Por në raport i është kushtuar një rëndësi e madhe punës së ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe luftës antikorrupsion.
Raporti veçon si një nga çështjet më të bujshme atë të aferës së CEZ. Sipas dokumentit, ish-kryeprokurori amnistoi Sali Berishën, ndërsa tregohen dhe të dhënat e grumbulluara nga komisioni hetimor, që hetoi aferën e privatizimit të OSSH. “Prokurori i Përgjithshëm refuzoi të niste hetimet mbi abuzimet me detyrën, pavarësisht provave të shumta për abuzimet e disa ministrave gjatë procesit të privatizimit të OSSH. Gjykata e Lartë mbështeti vendimin e prokurorit dhe ndaloi çdo hetim mbi procesin.
Komisioni parlamentar mbi çështjen vazhdoi të nxirrte informacione për përfshirjen e figurave politike, duke përfshirë ish-kryeministrin, të birin e tij dhe disa ministra. Një person i tretë, që me sa duket kishte bërë formalizimin e akordit mes CEZ dhe politikanëve shqiptarë (Nule Kalaj), mori një shumë prej 7 milionë dollarë, të cilën e kishte tërhequr në para të thata. Sipas regjistrimeve telefonike, ky ndërmjetës kishte bërë rreth 100 telefonata me ish-kryeministrin në vitin 2006, për organizmin e takimeve mes kompanisë dhe djalit të tij.
Prova të shumta të komunikimeve, transfertave dhe email-eve mes “konsulentit” dhe politikanëve shqiptarë tregojnë për korrupsionin politik në nivelet më të larta. Por ky rast mund të hetohet vetëm pas reformimit të gjyqësorit, kur të jenë thyer lidhjet mes tij dhe aktorëve politikë”, thuhet në raport.
Kapja e drejtësisë nga PD
Një tjetër detaj interesant në raport është se aty tregohet skema që ndoqi Berisha për të kapur sistemin e drejtësisë. Aty deklarohet se Berisha përdori Bujar Nishanin, për të bërë emërime sipas dëshirave të tij. “Anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, si dhe Prokurori i Përgjithshëm, gjithashtu emëroheshin nga Presidenti, por kërkonin dhe shumicë parlamentare. Emërimet ishin shumë problematike kur presidenti i përkiste të njëjtës parti që kishte mazhorancën, njësoj si në vitet 2005 – 2013, periudhë gjatë së cilës u bënë shumë emërime. Politizimi i gjyqësorit është i rrënjosur thellë në reformat fillestare të viteve 1992 e 1996 kur qeveria e PD hoqi gjykatësit komunistë. Personeli i ri ishte arsimuar vetëm me kurse tre deri në gjashtë mujore dhe zgjidheshin mes militantëve të partisë, duke infiltruar njerëzit e partisë në të gjithë gradat e gjyqësorit, për të konsoliduar kontrollin e partisë në drejtësi”, thekson raportii cituar nga “Sot”.
LSI rend pas pushtetit
Në raport flitet dhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, ku theksohet se është një parti e cila bredh vetëm pas pushtetit. “Partia e tretë në Shqipëri, LSI është një ndarje nga PS, pas debateve për udhëheqjen dhe shpërndarjen e posteve. Në vitin 2009 deri 2013, ajo hyri në koalicion me kundërshtarin ideologjik të PS, me PD. Disa muaj para zgjedhjeve në 2013, LSI ndryshoi aleancën e saj, duke u bërë me PS. Zhvendosjet taktike të kësaj partie, të cilat e kanë aftësuar të qëndrojë brenda strukturës qeveritare, pa marrë parasysh orientimin politik, tregojnë se në Shqipëri konfliktet e ashpra ideologjike mes partive nuk kanë rëndësi për sa kohë që ruhet pushteti. Por ato shfrytëzohen vetëm për të legjitimuar metodat e parregullta të arritjes së pushtetit dhe në fakt janë vetëm llogaritje politike”, thekson raporti. Aty flitet dhe për reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore, ku nuk mungojnë kritikat ndaj PD.