Ariola Sulejmani, në muajin Shkurt 2018 ju drejtua gjykatës së Korçës, duke kërkuar ndreqjen e gabimeve të bëra në vendim nga gjyqtari Maksim Qirjazi, i cili kishte shqyrtuar tre muaj më parë kërkesën e saj për tu divorcuar nga bashkëshorti.
Në kërkesën e saj, Ariola pretendonte se në vendimin e dhënë, gjyqtari Qirjazi kishte bërë një sërë gabimesh, gjë e cila bënte vendimin të paekzekutueshëm nga zyra përmbarimore. Veç gabimeve, për vendbanimin, vendin e punësimit, ku nga arkëtare në një kazino, gjyqtari në vendim e kishte punësuar në lokal lojëra fati, Qirjazi i kishte ndryshuar dhe mbiemrin nga Sulejmani në Kristo, duke ju referuar në vendim me të dhënat e gabuara si “Ariola Kristo”. Por nga verifikimet e bëra, në rezultoi se të dhënat “Ariola Kristo”, që gjyqtari Maksim Qirjazi ka referuar në vendimin e divorcit të shtetases Ariola Sulejmani, i përkasin gjyqtares së rrethit Korçë, Ariola Kristo. Por ky nuk është i vetmi vendim i shpallur me gabime nga gjyqtari i Korçës, Maksim Qirjazi, i cili ka sjellë probleme në fazën e ekzekutimit, duke u bërë i paekzekutueshëm, për një periudhë kohe.
Nga verifikimet e bëra na rezulton se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shqyrtuar gjatë fazës së procedimit disiplinor kundër këtij gjyqtari një numër prej gati 40 vendime gjyqësore, të cilat rezultojnë ti ketë zbardhur në mënyrë të gabuar dhe aspak profesionale. Madje herë pas here në disa vendime të gjykatës së Apelit Korçë që i disponojmë, evidentohet qartë vërejtja dhe tërheqja e vëmendjes që i bëhet këtij gjyqtari dhe gjykatës së shkallës së parë Korçë, për zbardhjen në mënyrë të gabuar të vendimeve.
Gjykata e Apelit Korçë në një prej vendimeve të saj shprehet: “…gjykata në arsyetimin e vendimit, nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të kërkueses, për vërtetimin e faktit juridik të qenies në marrëdhënie pune, por ka arsyetuar në lidhje me një person tjetër të quajtur Ethem Manoku, duke pasqyruar të dhëna që i përkasin këtij personi dhe një arsyetim, i cili mund të jetë pjesë e një gjykimi tjetër, apo vendim tjetër gjyqësor…”. Më tej në vendimin e marrë në muajin shkurt 2016 nga një trupë gjyqësore e Apelit Korçë, argumentohet se:”…se nuk mjafton vetëm që arsyetimi i vendimit të jetë formalisht i pranishëm në kuptim grafik dhe strukturor, pasi kjo do ta bënte vendimin, thjesht fiktiv…”.
Vlerësimi profesional e vërejtja konfidenciale Në fakt vlerësimi profesional i gjyqtarëve është një nga kriteret që ata duhet të përmbushin për të kaluar procesin e vettingut. Aktualisht ndaj gjyqtarit të Korçës Maksim Qirjazi, KLD ka marrë një masë disiplinore “vërjtje” konfidenciale, ndërkohë që emri i tij i ishte çuar KLD së bashku me 9 gjyqtarë të tjerë nga ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço, për shkarkim nga detyra. Kjo pasi gjyqtari Maksim Qirjazi për shkak të gabimeve të tij, kishte lënë 25 ditë në burg në mënyrë të padrejtë shtetasin Teo Ramo të akuzuar për vrasje. Në observacionet që Qirjazi ka dhënë para inspektorëve të KLD ai shprehet se: ”…i pandehuri duhej të lirohej në datën 4 maj, ndërkohë ai u lirua më datën 8 maj 2014…”.
Gjithmonë sipas observacioneve të tij, gjyqtari pretendon se kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë së të pandehurit, kishte mbërritur në zyrën e tij pa vulën e sekretarisë. Por në dëshminë e saj sekretaria e këtij gjyqtari Zamira Shkëmbi shprehet: “…unë jam sekretare e thjeshtë, kërkesën ma dha gjyqtari në dorë dhe më tha fute në dosje. E mora dhe e futa në dosje. Çdo akt në dosje futet me dijeninë e tij…”. Vetë gjyqtari Qirjazi gjatë një komunikimi telefonik konfirmoi se kishte marrë nga KLD masën “vërejtje” konfidenciale. “… ka qenë një çështje që kishte të bënte me një vrasje në Greqi, për të cilën unë kam bërë një gabim 4 ditor me afatet e paraburgimit, gabim për të cilin unë kam kërkuar falje para anëtarëve të KLD. Njerëz jemi dhe gabojmë, unë kam kërkuar falje…”.
Fitova 1400 euro Greqi duke punuar në gurore Rezulton se Maksim Qirjazi, në deklaratat e pasurisë së tij të depozituara ndër vite pranë institucionit të ILDKPKI thotë se gjatë periudhës së pushimeve, nga 13 korriku 2015 deri në 15 shtator 2015 deklaron se ka qenë me pushime dhe njëkohësisht ka punuar në ishullin IOS në Greqi, duke përfituar 1400 euro.I kontaktuar në telefon, Qirjazi pranon se ka qenë në Greqi gjatë verës së këtij viti duke pohuar se:“…po është e vërtetë kam shkuar gjatë periudhës 1 mujore në lejë vjetore. Kam punuar për 17 ditë…”. I pyetur se çfarë punë konkrete kishte bërë në ishullin Ios të Greqisë gjyqtari thotë: “…dy ditë kam punuar në një gurore, kam nxjerrë gurë, disa ditë kam pastruar një mulli me erë dhe ditët e tjera kam lyer shtëpi më bojë. Kam punuar dhe kam bërë pushime, unë nuk kam turp ta them dhe as ta fsheh që kam punuar… më ka ndihmuar një kunati im, nusen e kam futur pastruese në një hotel ndërsa djalin, roje në një kioskë. Por ka punuar dhe gruaja ime së bashku me çunin, ndaj del ajo shifra prej 1400 euro…”.
Refuzimi i vizës nga SHBA e qëndrimi në Greqi Gjyqtari Maksim Qirjazi relton të jetë një nga gjyqtarët që Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i ka refuzuar vizën për të udhëtuan në SHBA. Mësohet se stafi i ambasadës i ka cilësuar si jo të plota dokumentacionin që kishte paraqitur gjyqtari Qirjazi. Gjatë një bashkëbisedim telefonik gjyqtari Maksim Qirjazi tha:”…po më është refuzuar nga Ambasada Amerikane dhe kjo ka ndodhur vitin e kaluar. Unë kam dashur të shkoj në Amerikë tek motra, e cila më kishte lëshuar dhe dokumentacionin e garancisë. Zyrtarët e ambasadës më kanë kthyer përgjigje që nuk plotësoja dokumentacionin e nevojshëm dhe për pasojë ma refuzuan dhënien e vizës…”. Mirëpo gjyqtari Qirjazi jep të dhëna kontradiktore edhe në formularin e vetëdeklarimit për “garantimin e integritetit”, ku pyetjes nëse kishte jetuar ndonjëherë jashtë territorit të Shqipërisë për më shumë se 1 muaj, gjyqtari i është përgjigjur “jo”. Nga ajo që ka deklaruar në formular rezulton se ky gjyqtar ka jetuar në Greqi, për një periudhë 65 ditor, dhe më konkretisht nga 13 korriku 2015 deri në 15 shtator 2015. I kontaktuar në telefon gjyqtari Qirjazi pohoi se nuk ka qëndruar 65 ditë në Greqi. “Jo jo kjo nuk është e vërtetë kam deklaruar se kam qëndruar 1 muaj, dhe nga kjo kohë 17 ditë kam punuar. Nuk është e vërtetë se të kundërtën flasin dokumentet, kam dhënë masa sigurimi në Korçë, në muajin gusht 2015. Lëvizjet e mija janë të verifikueshme dhe në TIMS”-thotë Qirjazi. Pyetjes se ai kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit qëndrimin në Ios, Greqi, nga data 13 korrik 2005 deri në 15 shtator 2005, gjyqtari ju përgjigj:”…nuk jam në gjendje se çfarë kam deklaruar në atë formular, por mund të kem bërë ndonjë lapsus aty…”. /Shqiptarja.com