Një vajzë vetëm 14 vjeçe, vodhi plotë 75 mijë euro, për t’u pranuar në grupin shoqëror të shkollës.
Ngjarja ka ndodhur në Japoni, ku e mitura vodhi konkretisht 10 milionë yen, ose afro 75 mijë euro, gjatë vizitës në banesën e një shoqeje, ndërkohë që më tej paratë ua shpërndante vajzave të klasës.
E mitura pranoi vjedhjen dhe tregoi para hetuesve se i ka dhënë thuajse nga një milion yen, secilës nga dhjetë vajzave të klasës. Policia arriti të rikuperojë thuajse 8 milionë, të cilat ishin vjedhur nga muaji janar deri në shkurt të këtij viti.
Ajo shpjegoi se ishte ndjerë e mënjanuar nga shoqet e saj dhe në gjendje të rënduar emocionale, mendoi se si ti afronte në këmbim të parave.
Në mes të muajit shkurt, nëna e saj, kishte gjetur çantën e së bijës plotë me para, të cilën e kishte fshehur në dollap, shkruan noa.al.
Ajo i kishte treguar së ëmës, se paratë ia kishte dhënë një burrë me synim që të kujdesej për to për disa kohë. Ishte denoncimi i nënës së të miturës dhe marrja në pyetje e saj, ajo që çoi në zbulimin e ngjarjes.