Një i ri shqiptar në Itali është dënuar me 5 vite dhe 4 muaj burg, pasi është shpallur fajtor për plagosjen e një pensionisti një vit më parë. Marsel Selko 23 vjeç tha para trupit gjykues se e kishte qëlluar me thikë dhe grushte 87-vjeçarin në banesën e tij në Montecatini, pasi ai e kishte ngacmuar seksualisht.
“Ai e bëri atë propozim dhe unë u çmenda. E godita me thikë, dy herë, pastaj me grushte në fytyrë. Mua kurrë nuk më kishte ndodhur diçka e tillë”- tha i riu shqiptar.
Avokatja e tij mbrojtjes Laura Bertinotti kishte kërkuar lirimin duke thënë se i riu shqiptar e sulmoi pensionistin në kushtet legjitime të vetëmbrojtjes.
Ngjarja:
Marsel Selko jetonte në shtëpinë e xhaxhait të tij në Ponte Buggianese. Atë pasdite pesë muaj më parë, menjëherë pasi u arrestua ai tregoi se kishte dhunuar të moshuarin pas ngacmimeve seksuale që i kishte bërë. Ai e kishte njohur të moshuarin në afërsi të një stacioni autobusi.
Pas bisedës, pensionisti italian i kishte shprehur dëshirën t’i bënte shoqëri pasi ishte i vetëm. Shkëmbyen dhe numrat e telefonit dhe u ndanë. Marsel Selko ishte shprehur i gatshëm ta ndihmonte kur të kishte ai nevojë.
Ditën tjetër 87-vjeçari e kishte ftuar në shtëpi për kafe. Aty në kuzhinë ai kishte kërkuar më shumë nga i riu shqiptar, madje dhe duke e prekur. Në ato momente Marsel Selko nuk kishte duruar më dhe kishte sulmuar të moshuarin.
/BW