Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka raportuar se kanë mbërritur pranë këtij dikasteri edhe aplikimet e para për ndërtimin e një impianti eolik në Shqipëri. Bëhet fjalë për shoqëritë “EURUS” Sh.P.K. dhe “WF ENERGY” Sh.P.K., të cilat kanë dërguar nga një kërkesë secila ku shprehin interesin për të ngritur një vepër të tillë energjetike.
Projekti duket se është i përbashkët dhe bën fjalë për një impiant, sepse zona, kapaciteti i instaluar dhe vlera e investimit është e njëjtë për të dyja aplikimet.
Kështu, zona e konsideruar e përshtatshme nga investitorët për vendosjen e turbinave të erës është një sipërfaqe prej rreth 450 mijë metra katrorë në gadishullin e Karaburunit në Vlorë. Kapaciteti i instaluar propozohet të jetë 10 MW, një sasi e konsiderueshme duke patur parasysh që shumica e aplikimeve për HEC-e dhe impiante diellore kanë një fuqi të propozuar nën 2 MW.
Po ashtu, e konsiderueshme është edhe vlera e investimit, e cila llogaritet në 20.83 milionë euro, gati 10-fishi i kostos së një impianti fotovoltaik.
Së bashku me aplikimet për impiantin eolik, pranë MIE ka mbërritur edhe një tjetër aplikim për ngritjen e një impianti diellore në Sheq Marinas, në Topojë të Fierit. Shoqëria “SMART WATT” propozon një projekt që zë një sipërfaqe prej 3 hektarësh dhe një kapacitet të instaluar prej 2 MW, me një vlerë investime rreth 2 milionë euro.
Nëse i krahasojmë këto dy teknologji të shfrytëzimit të burimeve të rinovueshme, impiantet eolike shfaqin vlera më të larta investimi se sa impiantet diellore për të njëjtin kapacitet të instaluar. Po ashtu, centralet e erës kërkojnë një sipërfaqe më të madhe dhe janë shpesh të zhurmshëm.
Por nga ana tjetër, pas realizimit të investimit, era ka një kosto më të ulët për prodhimin e energjisë (Greqi 96 euro/MWh, Kroaci 98 euro/MWh), krahasuar me diellin (Greqi 120 euro/MWh, Kroaci 185 euro/MWh)
Të dyja teknologjitë mbështeten nga qeveria shqiptare përmes skemës për burime të rinovueshme, ku shteti do të garantojë për investitorët e impianteve fotovoltaike një çmim prej 100 euro/MWh, ndërsa për ata të impianteve eolike një çmim prej 76 euro/MWh./scan.tv