Kjo është shprehje që e përdorin së fundmi banorët e zonës më të përmendur javët e fundit në Shqipëri. Është një shprehje pronësie e përkatësie. Është apolitike. Është mesazh i qartë komunitar dhe tregues i frikshëm i qëndrimit të fortë ndaj politikave mashtruese në dëm të njerëzve.
“Dukati ka zot” mund të zëvendësohej shumë mirë për nga forca që përcjell edhe me “shqiptari ka zot”. Dhe ky zot është vetë vetja e tij, jo politika zaptuese e mashtruese.
Po pse kaq vëmendje për banorët e luginës që shtrihet në Gjirin e Vlorës? Dhe cilat janë mesazhet e pathëna që përcillen nga sjellja dhe veprimet e kësaj mase njerëzish të indinjuar?
Protesta bëhen për njohjen e të drejtës së pronësisë. Nga i njëjti drejtim gjeografik, vjen edhe dorëheqja nga drejtimi i Universitetit publik. Të dyja rastet tregojnë mospajtim; i pari me politikën zaptuese të pronës private fillimisht nga shteti e më vonë blerje qesharake nga njerëz të tij. I dyti tregon mospajtim me mënyrën se si ushtrohet presion mbi universitetet dhe si përcaktohen politikat e tyre.
Ky është “rebelizëm” qytetar që vjen nga njerëz që nuk paguhen nga 500 lekë për të marrë pjesë në protestë. As nuk kanë interesa karrieriste për politikë. Mospajtimet e shprehura në formë proteste janë mjeti i vetëm që kanë në dorë këta njerëz që ndjehen të dhunuar në të drejtat e tyre.
Shembujt vijnë të dy nga Vlora. Shumë mirë që vijnë.
Për vite me radhë nuk gjeja asnjë lidhje mes origjinës sime dhe stereo-tipeve që nuk rreshtin së vëni në sy në bashkëbisedimet formale apo jo-formale thëniet e përhershme: “ Aha, vlonjate qenke? Kokëfortë. Egoistë. Me gjoksin gropë. Doni të jeni gjithmonë të parët”. Këto janë kuptimet që nuk fshihen fare, edhe nëse shoqërohen me “komplimentat” për iniciativat për të thyer akullin apo për të folur drejtpërdrejt.
Por, prej kohësh më dukej sikur cilësitë e prejardhjes ishin individuale, kishin thjesht të bënin me personalitetin dhe më tepër se të vërteta, ishin mit stereotipesh krijuar prej kush e di se çfarë arsyesh në të kaluarën.
Por ja që brenda një kohe fare të shkurtër, këmbëngulja dhe protestat e një zone të tërë në gjirin e Vlorës dhe një dorëheqje e modelit vlonjat, më ndihmojnë në arsyetimin tim për të kuptuar, pranuar dhe ndarë me vetëdije publike të qenit pjesë e një vendi që marrëdhëniet me zgjedhën nuk i ka fort të mira.
Gjërat duhen ndarë. Unë jam kundër dhunës, ashtu siç janë të gjithë familjarët e mi nga Vlora, Dukati, Orikumi apo çdo centimetër i asaj zone. Dhe nëse karakterizohemi nga mos-pajtimi me dhunën fizike, kjo vjen për një arsye të fortë; rezistenca e madhe vendase ndaj dhunës mendore apo shpirtërore. Madje jo vetëm rezistencë. Kësaj lloj dhune, gjithë zona e luginës së Dukatit ku aktualisht shteti shqiptar po mundohet të tregojë dhëmbët nëpërmjet policëve rrogëtarë, e kthen përgjigjen me urtësi. Madje aq urtë, sa shpesh është vështirë që gjuha e zotërve të çdo centimetri të Karaburunit, Orikumit e Dukatit, të kuptohet lehtë nga ardhësit.
Që të kuptohet zemërimi dhe reagimi vendas, duhet të fillimisht të njihet historia dhe prejardhja e tyre, banorë të hershëm të qytetit të përmbytur të Orikut, që pushtim pas pushtimi jetuan në Karaburun, Akrokrenaune apo Lungarë, me sytë dhe prezencën e shpeshtë në luginën e bregdetin që sot nuk paska më zot.
Që dokumentacioni vendas për pronësinë e gadishullit mungoka, nuk mund të jetë tërësisht faji i vendasve. Asesi jo. E gjitha hapësira tokësore që shtrihet rreth gjirit të Vlorës, si gjithë Shqipëria, iu nënshtrua shpronësimit. Arkivat e qeverisje komuniste, ashtu si edhe arkivat e sotme, nuk i kanë pasur nën kontroll dukatasit, ndaj është po aq absurde t’iu kërkosh sot dokumentacionin e vjedhur. Njëlloj siç Serbia pretendon se asnjë kosovar nuk ka dokumenta pronësie mbi tokën ku banojnë e që qenka serbe, sepse janë pikërisht ata, serbët, që kanë menaxhuar dokumentimin jo vetëm të pronësisë mbi tokën, por edhe të historive që vërtiten për përkatësinë e saj.
Në Vlorë çështja është ndryshe. Që në hyrje të Radhimës e deri në qafë të Llogarasë, që nga Karaburuni e deri në Lungarë, nuk ka asnjë centimetër tokë, kodër, mal, përrua, pyll e pemë që vendasit nuk e dinë se kujt i përket. Prona është e tyre dhe pikë.
Jo vetëm ajo. Është foshnjore të pretendosh se paska ndonjë rrip toke pa zot në këtë vend, e në gjithë faqen e tokës. Pronar ka edhe Alaska e Greenlanda, e si nuk paska Orikumi, Dukati e Karaburuni?
Mirënjohja dhe krenaria më e madhe që ndjej për njerëzit e kësaj zone, është sipërmarrja e tyre për t’i dalë zot vetes, pronës, vendit ku kanë lindur. Nuk është patriotizëm patetik.
As ndërhyrja shtetërore për të nulifikuar pronat nuk është zbavitje se kanë ngelur njerëzit pa punë. Konflikti ka ardhur sepse banorët dyshojnë se toka e tyre do blihet, zotërohet, tjetërsohet dhe shfrytëzohet nga palë të treta, duke injoruar tërësisht të drejtën e tyre mbi të.
Po tre janë ato të shkreta liri themelore që ka njeriut. Jeta. Liria. Prona. Të tria duhen mbrojtur e siguruar maksimalisht nga shteti, me të gjitha instrumentet dhe mekanizmat e tij.
Po shteti po bën të kundërtën. Ndaj banorët e zonës së gadishullit e ndjejnë të domosdoshme t’i dalin vetë për zot mbrojtjes së pronës, meqë lirinë dhe jetën nuk e konceptojnë dot pa të (në një shtet që pretendon se operon në mënyrë demokratike, se pa to kanë jetuar, por nën diktaturë).
Mua më pëlqen ngritja në këmbë e dukatasve. Më pëlqen që ajo zonë ka nerv reagimi, drejtësie, mos-nënshtrimi ndaj pjatave të gatshme të mashtrimit. Më pëlqen që i thuhet më në fund “JO” mënyrës se si veprohet me qytetarin, me shtetasin, me pronarin.
Më pëlqen që në një protestë që prek drejtpërdrejt interesin jetik të një grupi njerëzish, pjesëmarrja është shumë më e madhe, më e zjarrtë dhe më e vërtetë sesa në protestat falso, mercenare e të detyruara që organizon PD-ja e PS-ja.
Dhe hiqeni nga mendja. Protestat në Dukat e Orikum nuk kanë karakter politik. Asnjë parti dështake të mos e gënjejë mendja se kjo ngritje e revoltuar bëhet në emrin tuaj të ulët e qesharak. Protesta niset nga banorët për çështje prone, që prek dhe iu intereson vetëm atyre.
Bashkia e Orikumit ka një historik shumë interesant për mënyrën se si votohet aty në zgjedhjet lokale. Si në kohën kur ishte Komunë, edhe në mandatet e fundit që është Bashki, zona ka zgjedhur në mënyrë konstante kryetar që vjen nga radhët e dukatasve vendas. Zgjedhja flet vetë. Pavarësisht përkatësisë politike të kandidatit, aty nuk ka fituar asnjëherë partia, por personi që ka fituar mbështetjen më të madhe në zonë. E që të jesh i tillë, duhet patjetër të vish nga Dukati, pronat e të cilit kanë shtrirje të admirueshme gjeografike, nga Orikumi deri në Llogara.
Sigurisht që zona është e ndarë politikisht dhe palët kanë mbështetësit e tyre. Por e veçanta nga pjesa tjetër e Shqipërisë, që duket edhe në rastin më të fundit protestor, është se në rastet kur vendasve iu shkelen të drejtat e tyre primare, siç është edhe pronësia, ata të gjithë bashkë i japin një të shtyrë politikës e partive, duke dalë treguar se durimi ka një kufi.
Lëvizja qytetare dhe protestat në Shqipëri kanë ngordhur. Politika i ka shpërfytyruar, me keqpërdorimin që iu bën kauzave të tyre.
Edhe kundërshtimi i hapur ka mbaruar. Të gjithë tundin kokat e ulin sytë, duke humbur dinjitetin, integritetin dhe vlerat personale karshi një politike të ulët e zhvatëse nga të dy kahët.
Por ja që nga Vlora mesazhet filluan të vijnë ndryshe.
“Do ta kërkosh Vlorën, komandant. Do ta kërkosh e s’do ta gjesh”. Batuta e këtij filmi shqiptar mund të duket si klishe. Por është e vërtetë po aq sa në momentin kur është krijuar.
Stereotipet, sado subjektive, nuk mund të jenë krijuar kot, pa arsye. Diçka e ka karakterizuar në mënyrë të përsëritur Vlorën me banorët e saj, që iu thonë atyre “kokëfortë rebelë”, e jo myzeqarëve apo ultësiro-perëndimorëve.
Ky shkrim nuk është për elozhe për vendin tim. Është shprehje e kënaqësisë që njerëzit në këtë vend ngrihen për të drejtat e tyre duke injoruar hapur fare politikën. Është shenjë respekti ndaj të gjithë atyre që i thonë medias “Ja, ky vend ka edhe popull, jo vetëm Ramë, viza e Berishë”.
Ky shkrim është rast i mirë për të thënë “Jo dhunës. Por JO edhe abuzimit shtetëror me dokumentacionet dhe me forcat e policisë”.
Unë admiroj integritetin e njerëzve, origjinalitetin e tyre dhe drejtësinë që shprehin me veprimet e ndërmarra, qoftë edhe kur këto veprime bien ndesh me pritshmëritë që ka një shtet, shoqëri apo media e infektuar nga krimi politik.
Ndaj i detyrohem një “Bravo” dukatasve për protestën dhe një thirrje për t’i qëndruar larg dhunës, por edhe për të mos rënë pre e përvetësimeve politike të situatës.
Sinjalet e ardhur nga Vlora, si me protestën në Dukat, ashtu edhe me dorëheqjen dhe letrën e hapur nga rektori i universitetit publik, janë të qarta: njerëzit nuk e tolerojnë më talljen dhe abuzimin politik.
Nëse palët kanë nevojë për prova të tjera, me siguri që në Vlorë do t’i gjejnë.
Dukati ka zot. Edhe jeta e secilit prej zotërve të tij. Edhe liria e tyre. Ndaj politika bën mirë të mbajë pronat e Pezës, Skelës apo të Vucitolit. Me të tjerat, çdo shqiptar di si të merret vetë. Veçanërisht ata që jetojnë në Vlorë.