Zbatimi i Reformës në Drejtësi, sipas piketave kushtetuese të 22 Korrikut 2016 dhe paketës së 7 ligjeve mbështetëse, sjellë zbehjen deri në rënie të autoritetit të Prokurorit të Përgjithshëm në Shqipëri, duke projektuar, në të njëjtën kohë, një pushtet të ri, në sistemin e drejtësisë shqiptare.
Në muajt në vijim, në varësi të ecurisë së procesit të Vettingut, mbi Prokurorin e Përgjithshëm do të zgjatet hija e një kryeprokurori të ri paralel, i konceptuar për të udhëhequr luftën kundër korrupsionit dhe krimit në nivele të larta. Për shkak se, në shënjestrën e kryeprokurorit të ri do të jenë mëkatet e politikës dhe gjyqësorit, ky pushtet i ri, pritet të shndërrohet në qendër graviteti sa i takon vëmendjes dhe rëndësisë në luftën kundër kulturës së pandeshkueshmërisë në vendin tonë.
Dobësimi radikal i Prokurorit të Përgjithshëm është parashikuar në dy drejtime:
- Në zhveshjen nga atributet ligjore sa i përket pushtetit brenda mureve të prokurorisë.
Në kufizimin e tërësisë së veprave penale, për të cilat mund të përfaqësojë akuzën para gjykatës.
Kushtetuta e ndryshuar dhe ligji i ri nr. 97/2016 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë e zhvesh Prokurorin e Përgjithshëm nga 13 kompetenca të rëndësishme, duke kthyer thjeshtë në një administrator të organit të akuzës, me zero influencë në fatin e një dosjeje konkrete. Në kuadër të pavarësisë dhe fuqizimit të rolit të prokurorëve, Prokurori i Përgjithshëm nuk ka më asnjë rol vendimmarrës, por mund të nxjerrë udhëzime me shkrim për prokurorët dhe oficerët e policisë së gjyqësore, për adresimin e problematikave të ndryshme. Udhëzimet janë vetëm të natyrës administrative ose procedurale.
Konkretisht, Prokurori i Përgjithshëm, humbet këto atribute:
Nuk dikton më drejtuesit e prokurorive dhe zëvendësit e tyre;
Nuk mund të zëvendësojë prokurorin e një çështjeje të caktuar;
Nuk mund të caktojë një prokuror për hetimin e një çështje;
Nuk mund të urdhërojë komandimin e prokurorëve;
Nuk mund t’i propozojë Presidentit, emërimin, transferimin, ngritjen në detyrë, largimin nga detyra dhe shkarkimin e prokurorëve;
Nuk mund t’i dikojë një prokurori mbylljen apo hapjen e një dosje;
Nuk mund të propozojë numrin e përgjithshëm të prokurorëve;
Nuk mund as të emërojë dhe as të shkarkojë Sekretarin e Përgjithshëm dhe kancelarët e prokurorive;
Nuk mund të urdhërojë më fillimin e procedimit penal kundër prokurorëve;
Nuk mund të urdhërojë procedimin disiplinor të prokurorëve;
Nuk mund të urdhërojë më fillimin e procedimit penal të policisë gjyqësore;
Nuk mund të mbikëqyrë shërbimin e inspektimit të prokurorisë, por vetëm mund t’i kërkojë i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë inspektime tematike;
Nuk thërret dhe nuk drejton mbledhjet e këshillit të prokurorisë.
Të gjitha këto atribute, janë shpërndarë në organe të tjera brenda sistemit, duke i dhënë një rol të rëndësishëm Këshillit të Lartë të Prokurorisë, figurës së prokurorit dhe sidomos Kryeprokurorit të Posaçëm. Në të njëjtën kohë, drejtësia e re, ka zbehur rolin e politikës në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa ka eliminuar tërësisht rolin e Presidentit të Republikës. Deri më sot, Prokurori i Përgjithshëm ishte produkt i një kompromisi mes Presidentit dhe forcës politike që kontrollonte Parlamentin, duke prodhuar një kryeprokuror që garantonte paprekshmërinë e politikës.
Drejtësia e re parashikon ngritjen e një strukture speciale, tërësisht të pavarur, e ndarë në tre nivele, paralel me policinë gjyqësore, Prokurorin e Përgjithshëm dhe gjykatat me juridiksion të përgjithshëm. Bëhet fjalë për Byronë Kombëtare të Hetimit, Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatën Speciale. Tre organet përbëjnë atë që quhet SPAK-u, ndërsa bashkëveprojnë me njëri-tjetrin, të pavarur nga veprimtaria e prokurorive dhe gjykatave me juridiksion të përgjithshëm.
Autoriteti dhe pushteti i Prokurorit të Përgjithshëm i kalon pikërisht drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, për gjashtë arsye:
Për fuqinë që ka brenda Prokurorisë së Posaçme;
Për imunitetin nga ndikimi i politikës mbi të;
Për kategorinë e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë që mund të ndjekë penalisht për çdo vepër penale;
Për tërësinë e veçantë të veprave penale që ndjek dhe përfaqëson akuzën në gjykatat speciale.
Për paprekshmërinë në detyrë.
Për sigurinë juridike pas lënies së detyrës.
Me ngritjen e organeve të SPAK-ut, proces ky i kushtëzuar me ecurinë e zbatimit të ligjit të Vetingut, Kryeprokurori i Posaçëm bëhet autoriteti më i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë. Kryeprokurori i posaçëm zgjidhjet dhe shkarkohet nga shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje, ndërkohë që teorikisht, politika mund të influencojë vetëm tek pakica e anëtarëve të KLP. Teorikisht politika, e konsideruar si rreziku më i madh për pavarësinë e gjyqësorit, ka zero ndikim në fatin e Kryeprokurorit të Posaçëm.
Ndryshe nga Prokurori i Përgjithshëm, Kryeprokurori i Posaçëm, ka fuqi t’u caktojë çështje prokurorëve të posaçëm, t’i japë udhëzime një prokurori për një çështje konkrete të ndjekur prej tij, thërret mbledhjen e Prokurorisë së Posaçme si dhe mund të caktojë një prokuror tjetër për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme, për një periudhë deri në 45 ditë.
Kryeprokurorit të Posaçëm i është besuar shembja e murit të pandeshkueshmërisë në Shqipëri dhe fronti u luftës kundër krimit. Në drejtimin e tij, Prokuroria e Posaçme duhet të hetojë dhe të mbrojë në gjykatë të gjitha akuzat penale për akuzat penale kundër Presidentit, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrave, kryebashkiakëve, anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, deputetit, zëvendësministrit, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë. Në shënjestrën e Prokurorisë së Posaçme janë edhe të gjithë ish-funksionarëve të sipërpërmendur. Për këtë grup zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh, Prokuroria e Posaçme ka në kompetencë të gjitha veprat e mundshme penale.
Rëndësia e Prokurorisë së Posaçme dhe drejtuesit të saj merr një tjetër dimension me grupin e veprave penale që kalojnë në kompetencë të SPAK-ut. Janë 40 vepra penale në kompetencë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme, si në rastin ku konsumohen nga grupi i pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve, ashtu edhe nga njerëzit e zakonshëm.
Ky projekt historik ka pothuajse zero mundësi që të mbetet në letër. Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, ka një garanci për zbatimin e tij. Ashtu si për mbikëqyrjen dhe asistimin në zbatimin ligjit të Vetingut, një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të angazhohet për mundësimin e zbatimit të ligjit të SPAK. Ky komision ndërkombëtar do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare.
Garancia parashikohet në pikën 9 të nenit 57 të ligjit të SPAK-ut. Rëndësi do t’i kushtohet rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ndoshta është pikërisht kjo garanci ndërkombëtare për zbatimin e ligjit të SPAK, sikundër po zbatohet edhe ligji i Vetingut, që ka prodhuar rezistencën e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare kundër një prej reformave më të thella dhe të gjithanshme në historinë e shtetit shqiptar. Shqiptarja.com