Njerëzit e sistemit të drejtësisë shumë shpejt do të mësojnë nëse kalojnë apo ngelin në procesin e vetingut. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka mbyllur procesin e verifikimit të pasurisë për gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. ILDKP është institucioni kyç, i cili merret me zbulimin e pasurive dhe aferave të zyrtarëve të lartë, përfshi edhe njerëzit e drejtësisë.
Pas gati një viti intensiv pune, ILDKP ka mbyllur procesin e verifikimit për të gjithë. Bëhet fjalë për rreth 3000 persona, dosjet e së cilëve tanimë janë në duart e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
ILDKP gjatë procesit të verifikimit ka bashkëpunuar me shumë institucione ligjzbatuese dhe jo vetëm të vendit, siç janë Drejtoria e Pastrimit të Parave, zyrat e pasurive të paluajtshme, drejtoritë e tatimeve, bankat, prokuroria dhe Policia e Shtetit. Të gjitha këto institucione kanë dhënë informacione mbi transferta bankare, shitje blerje pasurish, dhënie qeraje, apo gjithçka tjetër që kanë bërë gjyqtarët dhe prokurorët. Madje, një rol tepër të madh në këtë proces e ka pasur Drejtoria e Pastrimit të Parave, e cila ka kaluar në sitë pasuritë e gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshi edhe familjarët e tyre, duke vënë në dispozicion të ILDKP verifikimet për çdo emër konkret.
Kështu që dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve tani janë në duart e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe për rrjedhojë procesi i vetingut për njerëzit e drejtësisë edhe pse u duk i ngadalësuar, duket se do të ecë mirë.
Sipas informacioneve të gazetës “Sot”, nga muaji maj e në vijim procesi do të jetë më i shpejtë, falë të cilit shumë shpejt do të mësohen kush janë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Megjithatë, interesant është fakti se paralelisht me progresin e arritur nga ILDKPI, edhe Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar duket se është në të njëjtën linjë me të.
Edhe DSIK ka përfunduar verifikimin e kontrollit të figurës për çdo gjyqtar dhe prokuror, dhe tanimë dosja e secilit është në duart e organeve të vetingut. Pra pas kësaj pune intensive dhe koordinimi mes institucioneve ligjzbatuese, duke se shumë shpejt do të shohim zhvillime dhe rezultate konkrete sa i takon procesit të vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë konkretisht.