Zjarri në fabrikën e riciklimit në Kashar vazhdon ende, por ndërkohë është zbuluar një tjetër detaj për pronarin e saj, Vullnet Haka. Ende nuk është e qartë se cili është shkaku i zjarrit të madh që ra papritur.
Ekspertët po kryejnë verifikime në terren për një zjarr aksidental, por duke qenë se flakët u përhapën me shpejtësi po kryen hetime edhe për një zjarr të qëllimshëm. Ndërkohë përfaqësuesit e fabrikës së riciklimit kanë thënë në polici se ata dyshojnë se zjarri ka ardhur për shkak të luhatjes së tensionit të energjisë elektrike, por OSHEE e ka mohuar.
Punonjësit e sigurisë deklaruan dje se zjarri nisi nga mesi i fabrikës. Pranë fabrikës së riciklimit sot ka shkuar pronari Vullnet Haka. I pyetur nga gazetarët, ai tha se nuk dëshiron të prononcohet dhe se ia lë në dorë hetimeve të zbardhin ngjarjen.
“Nuk dëshiroj që të flas, ia lë në dorë hetimeve, nuk kam se çfarë të them”, tha Vullnet Haka, pronari i fabrikës ‘Everest’ që u dogj.
Drejtori i Zjarrfikëses deklaroi dje se fabrika në pronësi të Vullnet Hakës, që është kryetar i Shoqatës së Ricikluesve është gjobitur më parë se nuk kishte marrë masat për kushtet e sigurisë, ndërsa shtoi se edhe dje nuk funksionoi alarmi i zjarrit. Grupi po heton nëse janë plotësuar të gjitha masat kundër zjarrit për të dalë në konkluzione zyrtare.
Por ky duket se nuk ka qenë problemi i vetëm. Punëtorët të pyetur nga gazetari i Report Tv, Driçim Caka thonë jashtë kamerave se kanë nga 2-4 muaj paga të prapambetura pa marrë. Në takimin që kanë zhvilluar me pronarin Vullnet Haka, punëtorëve u është premtuar se do u jepen rrogat e prapambetura.
Vonesa e pagave me disa muaj është një tjetër skandal, pasi punëtorët kanë qenë të siguruar, por pavarësisht kësaj jo cdo muaj u kalohej paga. Djegia e fabrikës ka shkaktuar ndotje të madhe në zonë, por shqetësimin e banorëve për erën e rëndë dhe ndotjen askush nuk e ka marrë në konsideratë nga institucionet.
E kontaktuar nga Report Tv, ISHP deklaroi se nuk mund të kryejë inspektime në zonë, ndërsa Inspektorati i Mjedisit u shpreh se merret me licencimet dhe jo kontrollet. Ping-pongu mes institucioneve ka bërë që deri në paraditen e sotme shqetësimet e banorëve të bien në vesh të shurdhët.