Loading...

Dhia e zezë e Dukatit, kafsha që po ruhet nga zhdukja

Historia e fshatit të Dukatit sot është më shumë se ekzistuese në mendjet e banorëve të zonës. Rrëfenjat flasin për këtë fshat si një nga më të mëdhenjtë në gjithë Shqipërinë. Udhëtimi në ditët e sotme bëhet lehtazi pasi janë rrugët e shtruara me asfalt, ndërsa më parë, njerëzit janë munduar ta bëjnë këtë rrugë në këmbë, ose me kuaj kush kishte mundësi, deri në qendrën e fshatit. Në këtë vend ishte këneta dhe kullotat e Dukatit dhe asgjë tjetër. I gjithë vendi ishte një pyll i përzier me hilqe, frashër, që e bënte të pakalueshëm për njerëzit. Këneta vetë, kishte puse dhe vende ku uji ishte deri 1 deri 2 metra ujë. “Ishte e pashfrytëzuar se e bënin vetë kushtet që kombinonte me detin dhe ushqehej dhe me puset vetë. Deri në vitin 1956  nuk kish gjë prej gjëje përveç një poste policie.

Për herë të parë u ndërtuan rreth 20 apartamente ku do strehoheshin rusët që do të vinin për bazën e Pashalimanit dhe shqiptarët gjithsej 72 familje të tyre”, thotë Selami, banor i fshatit. Qyteti i Orikumit është banuar që prej 2500 vite më parë, ndërsa dukati është banuar që në kohën e Ilirëve. Në fillim, gjithë fshati  është marrë me blegtori. “Blegtoria ka qenë orientim kryesor. Ishte deti afër, por s’ka pasur peshkatarë të shquar. Blegtoria është të jesh edhe punëtor edhe dembel. Ka qenë e përhapur që në cep të Karaburunit deri në Llogara sipër. Kur u kolektivizua  në vitin 1955 u grumbulluan fshatrat.  Pastaj ishte nevoja e një qendre urbane dhe u krijuar Orikumi”, thotë Skënderi, blegtor i Dukatit. Fshati i Dukatit në blegtori është i dalluar ende sot. Dhia e zezë që vazhdon të rritet në kullotat e maleve të Llogarasë mban kurorën e mbarë Shqipërisë për cilësinë e mishit dhe prodhimin e qumështit.

Ndërsa, blegtorët gjenden përditë në male. Dita e tyre nis që me zbardhjen e diellit. I vetmi pushim është ai i drekës, ku edhe dhitë mbyllen për pak orë në stane. Pastaj, rutina vazhdon po njësoj. Sapo kalon piku i vapës, fillon edhe ngjitja në male. Llogaraja ka kullotat më të mira për dhinë e zezë, jo vetëm për shkak të bimësisë, por edhe të detit. Përmbajtja e jodit dhe përthithja e tij nga kafshët ndikon pozitivisht në pjellorinë e dhive të zeza të Dukatit. Tringëllima e këmborës njofton që jemi afër një kopeje. Tanush Bodoj, blegtorin më të madh të Dukatit e takojmë në mes të maleve. Ndonëse gjithë ditën në lëvizje ai nuk dukej i lodhur. “Mirë se erdhët. Më në fund miq për mua se vetëm dhi dhe cjep kam pasur deri më sot”, thotë Tanushi me humor, teksa ngrihet  nga vendi ku ishte ulur dhe merr në duar shkopin e çobanit. Muzika labe e shoqëronte kudo. Simfonia e saj dëgjohej nga një radio e vogël, të cilën Tanushi e mbante përherë me vete. “Ja, kjo traditë na mban gjallë, si në muzikë dhe kudo. Blegtoria është një traditë më vete.

Brezat sa vijnë e ndryshojnë, por disa vlera duhet të mos i zhdukim”, thotë ai, ndërsa na tregon edhe për aktivitetin e tij në blegtori. “Unë kam pasur përherë në tufat e mia dhinë e zezë të dukatit. Është një racë autoktone, e cila duhet ruajtur. Ka ardhur në  këtë vend që në vitin 1944 dhe që prej asaj kohe nuk është larguar. Megjithatë, numri i krerëve ka qenë më i madh. Numëroheshin rreth 120 mijë krerë dhi të zeza. Unë, sot kam në kopenë time rreth 1300 krerë, prej të cilave marr rreth 150 litra qumësht në vit nga një dhi. Është me leverdi, pavarësisht lodhjes që ka. Mbi të gjitha është traditë. Pjellshmëria e kësaj race është 97 % dhe kjo është pozitive. Nuk i shes dhitë e zeza të gjitha sepse i mbaj, i rinoj, i shtoj akoma më shumë.  Ne, vlonjatët,  jemi pak krenarë për gjërat tona. Kudo e tregojmë, por dhe e ruajmë të veçantën që kemi”. Dhia e Dukatit është me trup të shkurtër. Manteli i kësaj dhie është kryesisht i zi, për ka edhe individë të zinj me lara të bardha, apo krejtësisht me ngjyrë bezhë.

Një karakteristikë tjetër e këtij individi të botës shtazore në dallim nga speciet e tjera, është edhe fakti se femrat dhe meshkujt janë të pajisur me brirë, gjë që u jep atyre një pamje tërësisht të veçantë. “Në tufën time janë më së shumti femra, por kohët e fundit kam shtuar edhe cjepët. Mbaj rreth 80 cjep çdo vit. Shitja, më tej ka rendimentet e saj, por deri më sot ka qenë në nivele të mira. Unë, shes rreth 400 keca në vit. Përafërsisht një kec mund të më japë rreth 6000 lekë. Keci është 10 kg më e madhi në peshë, por është sipas periudhës. Mesatarja e peshës është 8 kg. E rëndësishme është që ka kërkesë. Jo vetëm mishi i dhisë, por edhe qumështi tregtohet. Djathi ka kërkesë akoma më tepër sepse e përpunojmë vetë në mënyrë artizanale, pa baxho. Njerëzit vijnë dhe e kërkojnë në shtëpi. Nuk ka si bulmeti që bën vetë”, thotë Tanush Bodoj.

Kërkesa për certifikim

Një prodhim i mirë, megjithëse njeh shitje duhet të japë edhe siguri. Agronomi i fshatit të Dukatit, Selim Askoçela thotë se veçantia e këtij fshati në mbarështimin e dhisë së zezë të Dukatit si edhe prodhimit të mishit dhe bulmetit të marrë prej tyre, duhet të marrë një pullë të kontrolluar, e cila të tregojë prejardhjen e produktit dhe cilësinë e tij. “Raca e tufave është e përzier, por dominon dhia e zezë. Ka prodhimtari të lartë. Dukati i ka marrë përmasat dhe mendohet të kapë shifrat e periudhës së mëparshme duke plotësuar nevojat. Kemi hedhur idenë që zona të bëhet jo vetëm turistike, por edhe të ketë patentën e saj në produkte, duke garantuar prodhim të kontrolluar dhe e certifikuar. Të njihet me emrin e Dukatit”, thotë Selim Askocela.

Trim Askocela: Blegtorët po tregojnë kujdes për dhinë autoktone

Cilësitë pozitive të dhisë së zezë së Dukatit, e mirënjohur në gjithë vendin për vlerat e saj si në prodhimin e qumështit dhe të mishit duket se janë nën një kujdes të mirë. Blegtorët zotërojnë mesatarisht 700 krerë dhi në fermat e tyre. Megjithatë, edhe pse me një eksperiencë të gjatë në këtë fushë, sërish kujdesi për kafshët duhet t’i kalojë një personi të specializuar. Trim Askocela, veterineri i zonës, tregon rëndësinë që ka kjo racë e rrallë e dhisë si edhe përse blegtorët po kujdesen kaq shumë për mbarështimin e tyre. “Nuk janë thjesht kafshë dhe sektor blegtorie për këtë vend. Është traditë e rrallë, e cila duhet ruajtur. Mbi të gjitha, ka vlera të mëdha dhe shumë fitim. Është me leverdi për fermerin pavarësisht vështirësive që ka.

Në krahasim me dhitë e tjera normale, këto të Dukatit prodhojnë më shpejtë dhe kanë prodhimtari më të lartë.  Në periudhën e majit është mishi më i kërkuar se në atë periudhë zhvillohet dhe bimësia. Faktori i rëndësishëm është edhe fakti që ndodhet buzë detit sepse ndikon shumë jodi i detit. Edhe kur janë në shtim, riprodhim i nxit të kenë prodhim më të shpejtë se ai normal. Ndër të tjera, bimësia është shumë e zhvilluar dhe e përshtatshme për dhitë e zeza. Ka shkurre dhe përrallë që janë shumë të nevojshme për një ushqim të shëndetshëm”, thotë veterineri Askocela.  Ndër të tjera, ai shton se edhe kujdesi që tregojnë çobanët e dhive ndaj mjedisit është një faktor që përbën rëndësi, duke theksuar që nuk ka pasur raste zjarri si në zonat e tjera të vendit. “Çobanët edhe janë kujdesur mirë për zonën. Nuk kemi pasur raste zjarri. Vështirësia e terrenit është e madhe, duke qenë se zona ndodhet rreth 1100m mbi nivelin e detit”, përfundon Trim Askoçela.

PicMonkey Collage

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com