Në disa portale pranë opozitës, është publikuar një lajm sipas të cilit, kryeministri Edi Rama kishte ftuar për darkë disa deputetë gjermanë të CDU/CSU.
Sipas këtij lajmi, deputetët gjermanë kanë refuzuar të marrin pjesë në darkë, për shkak se restoranti që kishte zgjedhur Rama ishte shumë i shtrenjtë.
Por, lajmi është qesharak, pasi i referohet një njoftimi të shpërndarë nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
“Me vendim të grupit parlamentar CDU/CSU, asnjë deputet i partisë së Merkelit nuk ishte në darkë me Edi Ramën të martën, 24 prill.
Kryesia e Grupit Parlamentar CDU/ CSU u mblodh si rregullisht të hënën pasdite në Bundestag.
Një nga çështjet që diskutoi ishte edhe sulmi mediatik plot fyerje e shpifje personale e familjare ndaj deputetit Krichbaum, i cili eshtë edhe kryetar i Komisionit për Europën.
Vendimi i kryetarit të Grupit Volker Kauder, person shumë i afërt me Merkel ishte i prerë: asnje nga deputetët e grupit CDU/CSU nuk do të jetë në darkën e shtruar nga Kryeministri Rama në China Club me rastin e vizitës së kryeministrit.
Edhe përzgjedhja e restorantit, ndër tre më të shtrenjtët në qytet, u shoqërua me habi dhe komente kritike. Të ftuar në darkë ishin vetëm deputetë të CDU/CSU, ndaj pas bojkotit të plotë nga ana e tyre, Rama darkoi vetëm me Fugën e Ballën në restorantin e shtrenjtë”, thuhet në deklaratën e PD-së, shpërndarë për mediat e saj, të cilat më pas e kanë shitur atë si lajm./TemA