Loading...

Dënohet “peshku i madh” i tjetërsimit të tokave në Vlorë

Teksa janë zhvilluar një sërë seancash gjyqësore në gjykatën e Vlorës, një trupë gjykuese e kësaj gjykate, tre ditë më parë ka vendosur të dënojë me 3 vite burg biznesmenin Pëllumb Petritaj. Ky i fundit njihet në qytetin e Vlorës si një nga njerëzit që nëpërmjet dokumentave të falsifikuara ka arritur të tjetërsojë shumë sipërfaqe tokësore në zonën e Karaburunit dhe Zvërnecit në Vlorë.

E ndërsa për çështjen penale të nisur nga prokuroria e Vlorës, që bënte fjalë për abuzimet me tokat në Karaburun, Petritaj, ka mundur në rrethana të dyshimta ti shpëtojë rrjetës së drejtësisë duke mos u marrë as i pandehur, tre ditë më parë ai u gjet fajtor nga gjykata e Vlorës duke e dënuar me 3 vjet burg. Pas këtij dënimi, duket se testi i radhës do jetë në gjykatën e Apelit të Vlorës, e cila do vendosi ose jo që dënimi i biznesmenit të marrë formë të prerë ose jo.

Banorë të fshatit Zvërnec, të cilët kanë depozituar kallëzim në prokurori që prej vitit 2010, i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se përveç dënimit me burg për Pëllumb Petritaj, trupi gjykues ka vendosur të konfiskojë dhe sipërfaqen tokësore prej 150 hektarë tokë, që ishte përfituar me dokumenta të falsifikuara.

Gjykata për dhënien e këtij vendimi është bazuar në paligjshmërinë e dokumenteve dhe për pasojë ka vendosur konfiskimin dhe kalimin e kësaj sipërfaqe tokësore në favor të shtetit.

Pëllumb Petritaj konsiderohet dhe dyshohet nga prokuroria e Vlorës si një nga njerëzit kryesorë dhe nismëtari e financuesi, i disa skemave abuzive që synonin tjetërsimit e tokave shtetërore në bregdetin turistik të Vlorës. Gjithashtu gjykata e Vlorës së bashku me Pëllumb Petritaj ka gjetur fajtorë dhe ka dënuar me nga dy vjet burg për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” tre persona të tjerë, ish-zyrtarë të Komisionit të Kthimit të Pronave në Vlorë. Më konkret me dy vjet burg është dënuar Petro Puleri me detyrë ish-kryetar i Komisionit të Kthimit të Pronave.

Dënim me dy vite burgim kanë marrë dhe dy ish-juristët e Komisionit të Kthimit të Pronave në Vlorës, shtetasit Klodian Jahaj dhe Miriam Isufi. Nga hetimi gati 1 vjeçar që ka kryer prokuroria e Vlorës ka konstatuar se zyrtarët e dënuar të Komisionit të Kthimit të Pronave në Vlorë,në mënyrë të kundraligjshme u kishte njohur trashëgimtarëve të shtetasit Ramiz Shehu sipërfaqen e tokës prej 150 hektarë. Vitet e fundit prokuroria dhe gjykata e Vlorës, po përballen me falsifikime të shumta të pronave në qytetin bregdetar por edhe me veprimtari të kundraligjshme edhe nga vetë institucionet shtetërore në këtë qark.

Pikërisht në 27 mars 2018 për abuzimet me pronat në Karaburun, gjykata e Vlorës shpalli fajtorë katër nga pesë të akuzuarit për falsifikimin e dokumentave për 342 hektarëve tokë në zonat turistike të Karaburunit, Zvërnecit dhe Palasës të martën, ndërkohë që i dha pafajësi avokatit Enkes Hysendhima. Trupi gjykues i përbërë nga Albert Spiro, Albana Selmanaj dhe Laurent Fuçia shpalli përgjegjës kryesor Rajmond Mëzin dhe vendosi dënimin e tij me 18 vjet burg për falsifikimin e pronësisë së 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve të tjerë në Zvërnec.

Lefter Gjergji, i cili akuzohej për tjetërsimin e 33 hektarëve tokë në Palasë u dënua me 16 vjet burg. Ish-punonjësja e hipotekës, Blerina Dhrami u dënua me 6 vjet burg ndërsa arkivistja e gjykatës së Vlorës, Donika Besimaj me 3 vjet burg. Avokati i Mëzit, Enkes Hysendhima, i cili akuzohej nga Prokuroria e Vlorës si një ndër protagonistët e falsifikimit të tokës u shpall i pafajshëm nga trupi gjykues. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Hysendhimës me 24 vjet burg.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com