Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë po ndjek me kujdes zhvillimet e fundit në
vendin tonë. Në mënyrë të veçantë në fokusin tonë kanë qenë ngjarjet që kanë
ndodhur në qytetin e Kukësit si pasojë e protestës së qytetarëve për taksën e
Rrugës së Kombit.
Me shpresë se do të japim kontributin tonë si pjesëmarrës në jetën sociale dhe
shpirtërore të vendit ne deklarojmë sa më poshtë:
Së pari, mbështesim çdo nismë civile që kërkon të drejtat e patjetërsueshme të
qytetarëve. Është e drejtë e çdokujt që kur i duket e arsyeshme, të protestojë e të
thotë fjalën e tij, vetëm apo i mbledhur së bashku me të tjerë.
Se dyti ne dënojmë si moralisht të papranueshme çdo sjellje dhune ndaj
personave, institucioneve, objekteve private apo shtetërore. Dhuna nuk është
kurrë zgjidhje dhe ne bëjmë apel që ajo të shmanget në çdo nismë të ligjshme
për kërkimin e të drejtave personale apo komunitare. “Kisha nuk mund të
pranojë dhunën …. sepse dhuna sjell gjithmonë dhunë dhe prodhon në mënyrë të
pashmangshme forma të reja të shtypjes dhe të skllavërisë, më të rënda se ato që
ajo pretendonte të çlironte” (Papa Pali VI).
Së treti ne u bëjmë apel institucioneve shtetërore të gjejnë rrugët e duhura për
t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë. Jemi të vetëdijshëm se rrugët, apo
çdo objekt që ka të bëjë me të mirën e përbashkët, kanë nevojë për mirëmbajtje
dhe kjo duhet bërë. Por gjithashtu, sikurse e kemi shprehur edhe në letrën tonë
për Krishtlindjet e vitit 2017, duhet kujdes ndaj personave, grupeve shoqërore
dhe zonave që janë më në nevojë. Duhet të punojmë të gjithë bashkë në mënyrë
që hendeku i krijuar midis të pasurve dhe të varfërve të ngushtohet, sidomos i
atyre të zonave të thella e periferike.
E dhënë sot, më 4 prill 2018,
nga Selia e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Tiranë
Loading...