Aktori Art Kurti është parë mbrëmë për herë të fundit në një festë me shoqëri, pak orë para se të gjendej i vdekur në një veturë në një fshat të Gjakovës.
Sakaq mesohet se nga festa, ish-aktori i “O Sa Mirë” është larguar me veturën e një miku të tij, brenda së cilës u gjet i vdekur mëngjesin e sotëm
Këto informacione i ka konfirmuar për Gazetën Express kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Selimaj.
“Veturën mbrëmë ia ka dhënë një shok i vëllait të tij. Pas marrjes së veturës Arti nuk i është përgjigjur më thirrjeve telefonike të familjes së tij”, tregoi kryeprokurori gjakovar.
Madje ai shtoi se kanë intervistuar personin, në veturën e të cilës dyshohet se u vetëvra këshilltari i kryetarit të Komunës së Gjakovës.
“Ne sot gjatë ditës e kemi intervistuar shokun që ia ka dhënë veturën”, tregoi Salimaj.
Sipas tij, arma e cila është gjetur pranë trupit të pajetë të aktorit të njohur nga Gjakova ka qenë e paregjistruar dhe pa leje.
“Në vendin e ngjarjes kemi gjetur një plumb, me të cilin dyshohet se është kryer vrasja dhe revolja. Arma është gjetur pranë trupit të pajetë të viktimës”, shtoi kryeprokurori i Gjakovës.
Sipas hetimeve të para, Art Kurti që dyshohet se u vetëvra, është gjetur i goditur me një plumb në kokë. Sipas kryeprokurorit të Gjakovës plumbi i ka shpuar kokën viktimës, duke dalë në anën tjetër dhe është gjetur jashtë veturës.
“Edhe plumbi shkon në ekzaminim bashkë me gëzhojën dhe armën. Tash do e shohim nëse plumbi që e ka goditur ka qenë i armës që është gjetur në veturë, apo i ndonjë arme tjetër”, tha Ali Selimaj për Gazetën Express.
Art Kurti u gjet i vdekur mëngjesin e sotëm, në orën 07:50 në një veturë në rrugën Gjakovë-Goden në vendin e quajtur Qafa e Zabelit.