Furrat e tregtimit të bukës, pastiçeritë dhe byrektoret kërkojnë ulje të çmimit të energjisë elektrike.
Aktualisht, këto furra buke, për shkak të përdorimit të frigoriferëve, janë penalizuar nga tarifa e reduktuar prej 7,6 lekë/kwh. Për rastet kur furrat e tregtimit të bukës, pastiçeritë apo byrektoret kanë në përdorim bazë frigoriferike, çmimi i energjisë po paguhet më shumë se 7,6 lekë për kwh.
Shqetësimi u ngrit nga kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, Gëzim Peshkëpia, në një nga seancat dëgjimore të zhvilluara me Entin Rregullator të Energjisë.
I kontaktuar nga gazeta, kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës tha se të gjitha furrat e reja që ngrihen në vend dhe përdorin bazë frigoriferike, nuk tarifohen me 7,6 lekë, por më shumë.
“Furrat e reja që po hapen nuk iu jepet subvencioni, pra, nuk e paguajnë energjinë me tarifën 7,6 lekë për shkak se kanë në përdorim 2 apo 3 frigoriferë. Bëhet fjalë për furrat ku tregtohen bukët apo ëmbëlsirat, jo për furrat që prodhohet. Pra, ne pretendojmë që të paguhet kjo tarifë, pasi furrat nuk mund të kthehen si në vitet ‘90, kur tregtonin vetëm disa bukë, tashmë furrat janë kthyer shumë bashkëkohore. Këto janë investime të bëra nga ne. Këta na thonë, shisni vetëm bukë. Por në të gjitha vendet e huaja, shërbimi që ofrojnë furrat e bukës është kompleks. Nuk mund të heqim dorë nga biznesi ynë vetëm për shkak të çmimit të energjisë. Ne pretendojmë që baza frigoriferike, 2-3 frigoriferë që janë në përdorim, nuk duhet të ndikojë në heqjen e subvencionit që kanë furrat e bukës dhe fabrikat e miellit. Pra, të paguajnë tarifë për energjinë 7,6 lekë për kwh ndryshe nga bizneset e tjera”, shpjegoi kreu i Shoqatës së Prodhuesve.
PROPOZIMI
Kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës kërkon zgjidhje institucionale të problemit. Ai shprehet se i kanë nisur një propozim edhe ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri, ku i propozohet që për furrat e tregtimit të bukës, ëmbëlsirave dhe byrektoreve, të aplikohet një tarifë prej 8,2 lekë/kwh.
“Kjo që po kërkojmë, nuk është kërkesë për lëmoshë. Ne e kemi TVSH-në e bukës 20 për qind, kurse vendet e Europës e paguajnë nga 0 deri në 8 për qind. Ky reduktim i tarifës të energjisë na jepet si pjesë e paketës lehtësuese, që të gjitha vendet e tjera i bëjnë prodhimit dhe tregtimit të bukës.
Ne kërkojmë një zgjidhje institucionale, të studiohet dhe për të gjithë këto furra që tashmë kanë frigorifer dhe nuk i heqin dot, të përcaktohet një tarifë tjetër. Ne i kemi dërguar një shkresë zyrtare edhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Ne kemi propozuar që për furrat e bukës që nuk kanë bazë frigoriferike tarifa të mbetet 7,6 lekë/kwh, ndërsa për furrat e tjera të bukës që kanë bazë frigoriferë, të aplikohet një tarifë prej 8,2 lekë/kwh. Pra këto ndryshime duhet të bëhen në vendimin e këshillit të ministrave, por më përpara institucionet shtetërore duhet të ulen për të diskutuar efektet financiare të propozimit tonë apo të ndonjë propozimi tjetër”, u shpreh kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës.
Buka, prodhuesit paralajmërojnë rritje të çmimit
Kreu i Shoqatës së Prodhuesve së Bukës paralajmëron se mosaplikimi i tarifës së reduktuar do të sjellë rritje të çmimit të bukës dhe ëmbëlsirave. “Ne e kemi bërë të qartë se do të rritet çmimi i bukës, po ashtu dhe një ëmbëlsirë që sot shitet 50-60 lekë, jashtë vendit shitet 2 euro. Pra, çdo rritje tarifash apo taksash ka rritje të çmimeve të produkteve. Mbi 96 për qind të objekteve të furrave të bukës janë me qira dhe të gjitha këto janë në kurriz të biznesit”, shprehet Peshkëpia. Numri total i furrave të bukës është 4 mijë, por shoqata përfaqëson edhe subjektet e tjera, pastiçeritë dhe byrektoret.