Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore dhje ekonomistët po japin alarmin prej kohësh: kërcënimet e presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump në frontin tregtar mund të krijojnë një spirale hakmarrjesh pa kthim në dëm të rritjes globale. Tashmë Shtëpia e Bardhë po kalon nga fjalët te veprimet.
Nga Gianluca Di Donfrancesco /Il Sole 24 Ore
Çfarë është lufta tregtare?
Përcaktimi në fjalor është “konflikt në të cilin një vend imponon detyrime e shtrëngime tregtare ndaj një vendi tjetër për t’i dëmtuar ekonominë”. Në manualin e ekonomisë botërore Krugman-Obstfeld -Melitz, lufta tregtare është ajo që shpërthen kur vendet zgjedhin politika proteksioniste, kërkojnë të mbrojnë ekskluzivisht interesin e tyre duke përfunduar në përkeqësimin e kushteve të të gjithëve. Barriera për importin kanë ekzistuar gjithnjë dhe gjithnjë do të ekzistojnë.
Përshkallëzimi i nisur nga Shtetet e Bashkuara kundrejt Kinës dhe Europës janë të tilla sa rrezikojnë të tërheqin një spirale hakmarrje që i detyron aktorët në lojë të marrin masa gjithnjë e më shumë drastike.
Cilët janë rreziqet e luftës tregtare?
Shembulli i përmendur më shpesh i luftës tregtare është ai i shkaktuar nga Shtetet e Bashkuara me Smoot-Hawley Act, i aprovuar nga Kongresi në 1930, të nesërmen e rënies së Wall Street (1929). Pavarësisht mendimit kundër të 1.028 ekonomistëve, ligji ngriti tarifat mesatare të SHBA-ve nga 38 në 45 %, me objektivin për të mbrojtur prodhuesit amerikanë të goditur nga kriza ekonomike.
Tarifat u shtrinë në thuajse 1 mijë kategori të mirash dhe provokuan një rënie të kërkesës, duke rënduar më tej Depresionin e Madh. Kjo sepse edhe 25 vende reaguan me raprezalje, goditje të tarifave e zhvlerësime. Shkëmbimet tregtare të SHBA-ve ranë me60 %. Kriza ekonomike ushqeu rritjen e lëvizjeve nacionaliste e populiste në Europë dhe ishte një nga shkaqet kryesore të Luftëssë Dytë Botërore.
Por proteksionizmi, në 800-tën i lidhur me lëvizjet që sollën formimin e shteteve-komb, ishte edhe një nga shkaqet e Luftës së Parë Botërore: një teori moderne proteksionizmi u hodh nga gjermani Friedrich List, në esenë “Sistemi kombëtar i ekonomisë politike 1841”, që rimerr idenë e Johann Gottlieb Fichte (Shteti i mbyllur tregtar- 1800) dhe mbështet nevojën e barrierave doganore për zhvillimin e industrive kombëtare, ku nuk ekzistojnë. Proteksionizmi gjeti aplikim të fortë në dhjetëvjeçarë e fundit të 800-ës në Gjermaninë e Bismarkut, e ndjekur nga Italia e Depretis dhe Crispit. Reaksioni i vendeve të tjera në atë koghë të avancuara shkaktoi luftëraa tregtare (si lufta e tarifave të produkteve bujqësore mes Italisë e Francës mes 1888 e 1892).
Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, një rritje me 10 për qind e tarifave amerikane do të reduktonte PBB-në me 1 % në afatgjatë dhe me 0.3% atë të vendeve të tjera të botës. Nuk do të kishte transferim të prodhimit nga një vend në tjetrin: të gjithë humbasin.
A mund ta fitojnë Shtetet e Bashkuara një luftë tregtare?
Presidenti Donald Trump është i bindur: Luftërat tregtare janë të lehta për t’u fituar”, sikurse ka pohuar shumë herë. Ama historia dëshmon se askush nuk fiton një luftë tregtare.për atë të 1930 është folur tashmë.
Kur presidenti George W. Bush rriti tarifat e çelikut në vitin 2002, PBB-ja amerikane zbriti me 30.4 milion dollarë, sipas Komisionit të Tregtisë Ndërkombëtare të SHBA-ve. U humbën rreth 200 mijë vende pune, 13 mijë prej të cilave në industrinë e çelikut.
Sipas “Peterson Institute for International Economics” çdo vend pune i shpëtuar nga tarifat e Bush kushtoi rreth 400 mijë dollarë. Organizata Botërore e Tregtisë vendosi që këto tarifa ishin të paligjshme.
Çfarë ka bërë Trump deri tani?
Në janar ka vendosur tarifa mbi importin e paneleve diellore (30%) dhe makinave larëse (nga 20-50%). Javën e kaluar ka deklaruar tarifa 25% për 60 miliardë dollarë importe të produkteve kineze, si hakmarrje për “dekadat e plaçkitjes së pronësisë intelektuale” dhe teknologjive amerikane përmes praktikave që detyrojnë kompanitë amerikane të ndajnë sekretet e tyre të industrisë me partnerët vendas, në këmbim të qasjes në tregun e atij vendi.
Sektorët në shënjestër (edhe pse mungon akoma lista e rreth 1,300 produkteve të prekura) janë ato të inovacionit dhe teknologjisë së avancuar, në të cilën Kina synon të bëhet një superfuqi botërore deri në vitin 2025. SHBA po përgatit po ashtu të bllokojë blerjet e kompanive amerikane nga grupet kineze.
Trump më pas ka vendosur tarifa 25% për çelikun dhe 10% për aluminin, që kanë hyrë në fuqi me 23 mars. I ka lejuar përjashtime të përkohshme Kanadasë, Meksikës, Europës, Koresë së Jugut, Brazilit, Australisë e Argjentinës. Që të bëhen përfundimtare, të gjitha këto vende duhet t’i lëshojnë diçka Uashingtonit. Përjashtimet skadojnë me 1 maj.
Çfarë ka arritur deri tani?
Në këmbim të përjashtimit përfundimtar nga tarifat për çelikun dhe aluminin, Koreja e Jugut, pas negociatave disa javore, ka pranuar kërkesës e SHBA-ve për të rishikuar traktatin e shkëmbimeve të lira të nënshkruar 6 vite më parë dhe ka pranuar një tavan prej 2.7 milion tonelatash në vit për produktet siderurgjike që mund të eksportojë në SHBA. Tavani është nëmasën 70% të shitjeve mesatare të çelikut korean në SHBA në periudhën 2015-2017.
Shtetet e Bashkuara mund t’i mbajnë deri në 2041 tarifat që sot aplikohen në furgonë e kamionë. Ato duhej të ishin eleminuar në vitin 2021. Qeveria do t’u lejojë kompanive amerikane shitjen në Kore të një maksimumi prej 50 mijë automjeteve që nuk përmbushin standartet e tyre të sigurisë. Sot tavani është 25 mijë. Së fundmi, Seuli ka rënë dakord të nënshkruajë një marrëveshje paralele në të cilën merr përsipër të mos zhvlerësojë monedhën e vet për të nxitur eksportet.
Cilat janë arsyet e Trump?
Presidenti amerikan kërkon të ulë deficitin tregtar amerikan, 810 miliard dollarë vetëm në shkëmbimin e mallrave, 560 duke konsideruar edhe shërbimet. Vetëm Kina ka një suficit prej 375 miliardë dollarësh (vetëm mallra, por bie në 150 nëse zinxhirët e vlerave globale merren parasysh). Trump kërkon që ai të bjerë me 100 miliardë. BE ka një suficit prej 150 miliardë dollarësh.
Kjo për deficitin është premtimi zgjedhor i bërë në fushatën presidenciale, të fituar për pak vetëm në shtetet ku industria e çelikut dhe shiritit mbijeton dhe që do të jetë vendimtare në zgjedhjet për rinovimin e pjesshëm të parlamentit në nëntor.
Si kanë reaguar vendet e tjera ndaj tarifave të Trump?
Një seri ekonomish, mes të cilave të BE, kanë kërkuar kompensime për tarifat mbi panelet diellore e makinat larëse, hapi i parë për të kaluar më pas në OBT. Bashkimi Europian po kërkon të bindë Shtëpinë e Bardhë që t’i bëjë përfundimtare përjashtimet nga taksat për çelikun dhe aluminin por tashmë ka treguar një listë të produkteve prej 6.4 miliardë që është gati të goditet si hakmarrje.
Por Trump ka thënë tashmë se nëse kjo ndodh, do të imponojë tarifat 25% në makinat evropiane. Brukseli ka nisur një hetim mbi rritjen e importit të çelikut dhe aluminit për shkak të detyrave të imponuara nga Trump në vende të tilla si Rusia, Kina, Turqia, Japonia ose Vietnami, të cilat do të duhet të kërkojnë tregje të tjera.
Kina është kufizuar në tregimin e kundërveprimeve për 3 miliardë dollarë produkte të prodhuara në SHBA.
Cili është roli i Organizatës Botërore të Tregtisë?
Kina, Europa dhe vende të tjera kanë njoftuar dhe paraqitur ankesa në Organizatën Botërore të Tregtisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të themeluar në vitin 1995. SHBA gjithashtu lëviz në këtë drejtim dhe ka bërë thirrje për konsultime me Kinën për çështjen e vjedhjes së teknologjisë.
Gjykata e OBT-së mund të autorizojë një vend anëtar për masa kompensuese (jo-ndëshkuese) nëse konsideron se është dëmtuar nga një shtet tjetër, në kundërshtim me rregullat e tregtisë ndërkombëtare. Procedurat e OBT-së janë megjithatë të gjata dhe trupi i apelit rrezikon paralizën nga bojkotimi i SHBA-ve, që bllokon rinovimin e gjyqtarëve të saj.