Profesori i njohur shkodran Mahir Hoti është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare. Ai prej dy vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë, të cilës nuk ka arritur t’i mbijetojë.
Profesor doktor Mahir Hoti është përzgjedhur në listën e 100 arsimtarëve më të mirë të botës në vitin 2006. Emri i tij do të renditej në sallat e Qendrës Ndërkombëtare të Biografive në Cambridge të Anglisë, përkrah shumë personaliteteve të tjera nga i gjithë globi, që kanë dhënë një kontribut të vyer në fushën e arsimit.
Hoti lindi në 15 Janar 1948, në një familje të vjetrë Shkodrane. Në vitin 1970, ai kryen studimet në Universitetin e Tiranës, dega Histori-Gjeografi. Ndërsa në vitin 1999, fiton titullin “Profesor Doktor”.
Kontributi dhe prania e prof.dr Mahir Hotit do t’i mungojë botës akademike, kolegëve, miqve e bashkëpunëtorëve. Ai ka lënë një kontribut të madhe me karrierën e tij për qytetin e Shkodrës.