Ballkoni panoramik është atraksioni më i ri turistik që i shtohet qytetit të Vlorës.
I pozicionuar pranë zonës së Ujit të Ftohtë, Ballkoni i Vlorës është e orientuar nga perëndimi dhe prej aty çdo vizitor ka mundësinë të ketë një pamje të plotë të Lungomares dhe të gjithë gjirit të Vlorës.
Pas përfundimit të projektit Lungomare, rikonstruksionit të Transballkanikes, unazës së qytetit e rrugës Dhimitër Konomi dhe shesheve publike, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është duke zbatuar projektin e rikonstruksionit të bulevardit “Ismail Qemali” dhe rikonstruksionin e rrugës së Kaninës.
Ndërkohë është drejt përfundimit rruga e Pyllit të Sodës, që e transformon këtë zonë dikur të lënë pas dore në një në një hapësirë të re turistike.
Vlora është një nga qytetet më të bukur të Shqipërisë që ndodhet në Jug-Perendim të vendit përgjatë bregdetit të ulët të Adriatikut dhe atij shkëmbor të Jonit.
E quajtur si “Qyteti i flamurit’’, “qyteti me dy dete” apo “porti jugor i Adriatikut’’ Vlora konsiderohet si perla e turizmit shqiptar, me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit.
e,xh/ /a.g/burimi/ata.gov.al