Loading...

Alket Hyseni, doganieri që u bë deputet supermilioner, si rrjedhojë e punës që në moshë të njomë

Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni ëshë diplomuar si jurist në Universitetin e Tiranës në vitin 1999 dhe në vitin 2002 ka marrë licencën e avokatit. Karriera e tij në administratën publike ka filluar si përgjegjës turni në doganën e Kakavijës në mars të vitit 2000 dhe në vitin 2004 ai është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në Tiranë.

Në vitin 2006, ai themeloi studion ligjoren ‘Hyseni & Associates’ të cilën e ka drejtuar deri në vitin 2014. Në vitin 2014 deri në vitin 2016 ai ka drejtuar task-forcën ‘ Për verifikimin e ligjshmërinë e mënyrës së tjetërsmit të pronave të paluajtshme shtetërore,’ dhe në vitin 2016 u emërua si Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave. Hyseni u zgjodh deputet si pjesë e listës së Partisë Socialiste në Vlorë në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Pasuria e Hysenit nga viti 2000, kur ishte një përgjegjës turni në Kakavijë deri sa u u zgjodh deputet ka regjistruar një rritje eksponenciale. Në qoftëse në deklarimin e parë periodik të bërë nga zoti Hyseni në vitin 2003 ai kishte vetëm 1.2 milionë lekë asete, në deklarimin e fundit deputeti socialist ka regjistruar një pasuri prej 174 milionë lekësh. Diferenca midis dy shifrave përbën një rritje pasuri prej 136.8 herë në 14 vite.

BIRN analizoi deklarata e pasurisë të bërë nga deputeti socalist pranë Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Pjesa më e madhe e pasurisë së deputetit Hyseni është e investuar në pasuri të paluajtshme, të cilat në vitin 2017 kapin një vlerë prej 110 milionë lekësh. Kjo kategori asetesh ndiqet nga likuditetet në banka me 38.3 milionë lekë dhe likuditete cash prej 1.3 milionë lekësh.

Shumica e kësaj pasurie është vënë gjatë periudhës 2006 – 2016, kur zoti Hyseni ka udhëhequr studion ligjore “Hyseni & Associates”. Sipas deklarimieve të pasurisë në ILDKPKI, gjatë kësaj periudhe e ka shtuar pasurinë me 170.1 milionë lekë. Nga ky shtim marramëndës pasurie Hyseni ka specifikuar të ardhura në vlerë 48.3 milionë lekë, të cilat vijnë nga pagat nga funksioni dhe firma ligjore, të ardhurat e bashkëshortes dhe fitimet neto nga shit-blerja e pasurive të paluajtshme. Pjese tjetër e deklaruar si shtesë asetesh prej 134.7 milionë lekë në vitet 2006 -2016 është me burime të paspecifikuara, të shprehuara në deklaratat e pasurisë si të ardhura nga ‘puna, biznesi, emigracioni dhe kursime familjare.”

Nga analiza e rritjes së pasurisë bruto të Z. Hyseni, rezulton se nga viti 2006 deri 2016 pasuria është rritur mesatarisht me 17 milionë në vit. Për të justifikuar këtë normë të rritjes së pasurisë, duhet që burimi financiar (të ardhurat neto) të ketë qenë mesatarisht 1,4 milionë lekë në muaj, pa llogaritur shpenzimet e jetesës.

Hyseni i tha BIRN që pasuria e tij ishte rrjedhojë e punës që në moshë të njomë dhe çdo të ardhur e ka deklaruar konform ligjit.

“Biznesi deklaron të ardhurat në Tatime dhe unë mund t’u them se nga biznesi im kam të ardhura në rendin e 2 miliardë lekëve dhe mbi 800 milionë lekë janë taksë dhe tatime. Nuk ka një studio të dytë që të ketë qenë kaq korrekte,” tha Hyseni.

“Unë kam punuar fort që 18 vjeç – unë, im atë dhe familja ime jetojmë mirë, nuk e mbajmë veten për të pasur. Kemi filluar të ndërtojmë bizneset tona dhe nuk ka qenë ky biznesi i vetëm në jetën time. Puna që kam bërë më ka dhënë emër dhe ka ndikuar indirekt edhe në biznesin e avokatisë dhe unë jam krenar për këtë. Nuk kam asgjë për të fshehur,” përfundoi Hyseni.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com