Ai ishte një gjeneral italian i Luftës së Dytë Botërore, i cili kishte ardhur në Shqipëri në fillim të viteve ‘40, kur Italia pushtoi Shqipërinë.
Gjatë ekspeditave në zonën e Kavajës pikërisht në fshatin Bardhor – ku edhe sot ndodhet një nga burgjet e shtetit shqiptar – ai ndeshi në një gji të mrekullueshëm rreth 400 metra të gjerë, që puthej nga një det thellësisht blu i cili copëzohej nga pjesë shkëmbore duke krijuar një vijë të thërrmuar ujë-tokë e cila mbyllej me dy kepa majtas-djathtas, në formën e një patkoi.
Ky xhep i bruztë-blu, ishte i veshur me shkurre të blerta e kodra të buta që e mahnitën ushtarakun. Dhe jashtë kontekstit të luftës ai e ndau me mendjen e tij se ky ishte një gji i mrekullueshëm për të bërë plazh.
Pak kohë pasi u kthye në Itali, mori familjen e tij dhe e mësyu gjirin edhe njëherë, por kësaj radhe me jaht, nga deti. Kanë kaluar më shumë se gjashtëdhjetë vjet që atëherë, por edhe sot e kësaj dite, ky gji vazhdon të quhet Plazhi i Gjeneralit, për shkak të frekuentimit që i bëri ushtaraku i dikurshëm, për vite rresht, derisa mbaroi lufta.
Tashmë ai s’mund të quhet ndryshe, ndonëse numri i atyre që e frekuentojnë është shumë më i madh se thjesht një familje e pasur e kohërave të luftës.
Plazhi i Gjeneralit është pjesa më e bukur dhe më tërheqëse në të gjithë rivierën Kavajase të përbërë prej 30 km vijë bregdetare, i cili të bën ta dashurosh që në momentin që të shfaqet befas në horizont, sapo ke kaluar kodrat e Kryevidhit.
Është vetëm 10 km nga rruga kombëtare Durrës-Rrogozhinë.
Vija bregdetare e plazheve të Kavajës, fillon që nga plazhi i Golemit, për të vazhduar me Malin e Robit, Qerretin, Karpënin, e deri në Spille. Pjesa jo fort e njohur e saj vijon pas plazhit të Qerretit. Në vijimësi të këtij segmenti ndodhen plazhet e Carinës, Kepi i Lagjit, Gjiri i Forsilukut, plazhi i Gurit të Lëmuar, plazhi i Spillesë etj.
Në zonë mund të vizitohet Kalaja e Bashtovës, një monument kulture me vlerë që ju do ta gjeni vetëm disa km jashtë Kavajës. Rrethinat e saj kanë mbetur të plota. Nga muret e kalasë mund të vëzhgoni bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta.
Për të vizituar kalanë duhet të shkoni në fshatin Vilë Bashtovë, në jug të qytetit.
Pak kilometra nga Kavaja në fshatin Çetë, ndodhet Kisha e Shënepremtes, një kishë mesjetare, e zbukuruar me afreske të shenjtorëve. Në këtë kishë, banorët e qytetit vijnë tri ditë pas pashkëve për të festuar dhe për të uruar njëri-tjetrin.
Pylli Bedenit, është gjithashtu një destinacion shumë i përshtatshëm për kohën e lirë, për eksploruesit e natyrës, adhuruesit e aventurës dhe të pasionuarit pas florës shqiptare. Është një pyll shumë i përzier, me sipërfaqe rreth 300 hektarë i vendosur mbi kodrat e fshatit Beden.
Rruga për atje kalon nga fshatrat Luz i Madh, Luz i Vogël e Kryevidh, 15 km në jug të qytetit.