Pas zbulimit të krimit të frikshëm, ku Albert Zekaj vrau shokun e tij Kreshnik Beqirajn, policia ka zbuluar gjatë marrjes në pyetje të autorit dhe shkakun që çoi në vrasje.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur para një viti, ndërsa trupi i 36-vjeçarit në Fieri u zbulua vetëm një ditë më parë.
Sipas policisë, “ky shtetas ka qenë shok me viktimën K.B., ku janë njohur para tre vjetësh në Belgjikë dhe më pas kanë qëndruar në shtëpi me qera në qytetin e Fierit. Më datë 22.06.2017 rreth orës 23:00 ky shtetas dyshohet se e ka vrarë ne sende te forta dhe trupin e ka hedhur në afërsi të fshatit Daullas”.
Pas marrjes në pyetje ai pranoi autorësinë e vrasjes dhe hedhjen e kufomës në vendin ku u gjet.
Mësohet se ai ka thënë para grupit hetimor: “Isha i dehur kur e vrava Kreshnikun, kur e kuptova që kishte vdekur, e groposa”.
Mësohet se zënkat kishin nisur për lekët e qirasë, që autori nuk i kishte paguar prej disa kohësh. Ata ishin njohur ne Belgjikë ku kishin kryer burg bashke.
Viktima ishte denoncuar në polici i humbur nga familjarët, por nga veprimet e kryera si dhe nga dyshimet e familjarëve, në muajin Janar 2018 Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka nisur hetimet pasi dyshohej se ky shtetas mund të ishte vrarë ose rrëmbyer.
Nga kryerja e veprimeve proceduriale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
– një batanije e cila kishte shërbyer për transportin e trupit.
– një çekiç me të cilin autori ka kryer krimin;
– mbetje të trupit të cilat u dërguan pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, për ekzaminim të mëtejshëm.