Elsi Kosiqi u vra në oborrin e shtëpisë në orët e vona të së hënës. Mësohet se autori, Mehmut Gega e ka thirrur fillimisht në emër dhe e ka qëlluar me tri plumba duke i marrë jetën. Viktima ka dalë dhe hyrë në pikën kufitare të Bllatës, i shoqëruar me persona të tjerë mesnatën e së hënës.
“Oficerë të Policisë Gjyqësore Dibër kanë udhëtuar që në orët e para të ditës së djeshme drejt Maqedonisë”,-tha një drejtues lokal i Policisë. Ngjarja ka ndodhur në orën 01:30. Vila e familjes Kosiqi ndodhet në qendër të Maqellarës, në anë të rrugës nacionale Bulqizë-Peshkopi.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në Doganën e Bllatës dhe ato të bizneseve të Maqellarës dhe po shihet me kujdes lëvizja e çdo automjeti apo personi gjatë një natë më parë.
Pak pas ngjarjes, Policia e Dibrës shoqëroi pesë persona, mes së cilëve ishte dhe autori i dyshuar Mehmut Gega. 24- vjeçari, pas marrjes në pyetje, është mbajtur nën mbikëqyrje nga forcat e Policisë, gjë e cila çoi dhe në zbulimin se ishte pikërisht ai autori i krimit.
Lidhur me shkakun e krimit, zyrtarisht Policia thotë se bëhet fjalë për konflikt për motive të dobëta. Përgjimi i telefonatave të disa personave ka hedhur dyshimet e para për motivet e krimit që ka të bëjë me një vajzë. Një nga pistat është ajo e ndonjë lidhjeje të fshehtë dashurie e 32-vjeçarit, zbulimi i së cilës mund të ketë çuar në vrasjen e tij.