Në ditën botërore të pyjeve, Bashkia e Tiranës mbolli pemën e njëqindmijtë madje e kaloi këtë shifër me 800 peme më shumë të cilat u mbollën në zonën e Bathores.
“Kemi pasur një fushatë me energji fantastike për Tiranën, e cila nisi thuajse si një lojë, duke mbjellë një pemë këtu e një atje, por siç gur-gur bëhet mur, edhe pemë-pemë bëhen 100 mijë pemë. Sot e kemi kaluar me disa dhjetëra pemë qëllimin tonë për 100 mijë pemët. Falenderoj të madh, e të vogël: patëm donatorë që dhuruan nga 3 mijë pemë, por edhe fëmijë që dhuruan një pemë për ditëlindjen e tyre”, u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se përveç shtimit të gjelbërimit në Tiranë tanimë u ndryshua dhe mentaliteti për t’i bërë punët bashkë. Veliaj tha se aksioni i mbjelljes se pemëve do të vazhdojë edhe përtej ditës botërore të pyjeve duke e shtyrë fushatën edhe me një muaj tjetër
“Duke qenë se kemi mbi 100 subjekte dhe mbi 1 mijë individë që janë ende në listë pritje për të dhuruar pemë, po mendojmë ta shtyjmë me disa ditë afatin dhe fushatën e mbjelljeve. Kështu, nesër pasi të bëjmë një bilanc të 100 mijë pemëve, do të deklarojmë datën e fushatës së re”, tha Veliaj.
Pema e 100 mijtë u mboll nga myftiu i Tiranës, Ylli Gurra me rastin e ditëlindjes se tij. E me rastin e 95-vjetorit të Komunitetit Mysliman Shqiptar xhamitë e Tiranes kanë dhuruar 95 pemë.