Loading...

Turizmi malor shqiptar, surpriza e Mesdheut

Më në fund Shqipëria mund të krenohet edhe me turizmin malor, me ato zona të harruara nga vetë turistët shqiptarë të diskriminuara nga regjimi komunist, por të preferuara tashmë dhe të vlerësuara nga të huajt. Zona e Thethit në kulm të Shqipërisë konsiderohet për mjaft turistë një nga pjesët më të bukura malore në të gjithë Europën. Një turist çek është shprehur për agjencinë e lajmeve “Rojter” se, “vite më parë kam udhëtuar rreth Alpeve në qendër të Europës, nuk i pëlqej më ato vende pasi ka shumë turistë. Ne tashmë kërkojmë një natyrë më të pastër dhe këtë e gjejmë në këto male, pasi gjithçka këtu është natyrale. Dhe ja çfarë pëlqej në Shqipëri, male të bukura, njerëz të pastër dhe natyrë të mrekullueshme”, u shpreh turisti çek. Turistët preferojnë të hanë ushqim në natyrë, të flenë në natyrë edhe pse kjo është diçka e frikshme në këtë natyrë të egër dhe origjinale. Një tjetër turiste çeke shprehet se, nëse do ta krahasojmë këtë vend me Austrinë ose Zvicrën, këtu është një zonë më pak turistike, por është e këndshme, sepse mund të jesh vetëm ti mes maleve, pa njerëz apo turistë të shumtë rreth e qark. Këtu turizmi nuk është shumë i organizuar, vetë banorët janë përpjekur të modernizojnë shtëpitë e tyre në mënyrë që turistët të gjejnë mjedisin e rehatshëm që kërkojnë. Prek Harusha, një nga pronarët e Haneve që strehojnë turistë në këtë zonë, shprehet se kushtet e akomodimit të turistëve janë komode. “Ushqimet që gatuajmë janë prodhim vendi, kjo është edhe ajo çka kërkohet nga turistët. Dikur në kohë ne kemi pritur edhe njerëz pa lekë, pasi ne jemi malësorë dhe ruajmë traditën e mikpritjes edhe i presim. Por tashmë ka ndryshuar koha dhe janë turistë ata që na vijnë dhe çmimet janë të arsyeshme”, theksoi Harusha. Një shekull më parë shkrimtarja britanike e famshme, Edit Durham, ra në dashuri me këtë vend malor. Ajo shkroi edhe një libër në vitin 1909. Sot kullat e Thethit janë modernizuar falë një ndihme simbolike nga investitorët gjermanë, megjithatë ato kulla ruajnë ende origjinalitetin e tyre. Është fakt tashmë se kjo zonë po korr fitimet e veta dhe po bëhet gjithnjë e më shumë një destinacion për të huajt që janë të dhënë pas turizmit malor.

Thethi, madhështia e turizmit malor

Me pamjen përballë Alpeve shqiptare, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i rrethuar nga një kurorë malesh, nga mali Radohimë, Shenik, Papluk, me lartësi mbi 2500 m, shtrihet lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre Alpeve, 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh. I mbrojtur nga muret e maleve madhështore, i shtruar me livadhe, pyjet e ahut e burime të ftohta uji, zona malore turistike e Thethit e shndërron Shqipërinë në një vend potencialisht të fuqishëm për turizmin malor në të gjitha stinët. Madhështia e natyrës së paprekur që të ofron kjo zonë nis me praninë e pyjeve të dendura, ku përveç pemëve të larta mbizotëron dukshëm edhe bimësia e ulët me lule shumëngjyrëshe e të rralla në llojin e vet. Një nga pikat piktoreske në këtë mrekulli natyrore është padyshim edhe vorri i Riecit, një pikë nga e cila vihesh përballë Okolit, Qafës së Pejës dhe ku majtas ngrihet madhështore kalaja natyrore dhe Shtegu i Dhenve. Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhenve, Radohima, Sheniku, Papluku, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, Maja e Zezë, Maja e Zorgjit, që fshehin në brendësinë e tyre ballafaqime të panumërta me alpinistë, spedologë, botanistë, gjeografë dhe shumë dashamirës të alpeve, te të cilët kjo zonë sigurisht lë mbresa të pakrahasueshme. Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okoli deri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike që të gërshetuara me sfondin alpin, të shfaqen si peizazhe të papërsëritshme dhe të papara ndonjëherë. Pa asnjë dyshim, Thethi mund të quhet edhe një park zoologjik natyror. Quhet i tillë nga banorët dhe nga vizitorët, pasi ka një hapësirë të admirueshme, e cila i ofron kushte të mira jetese disa llojeve të ndryshme të kafshëve të egra. Por përveç shumëllojshmërisë së kafshëve të egra, pylli i Thethit është mjaft i pasur edhe me shpendë të ndryshëm si shqiponja, skifteri, thëllëza, pëllumbi, e shumë shpendë të tjerë që folenizojnë atje. Nuk duhen lënë pa u përmendur edhe pasuritë e lumit të Shalës, që buron në Okol dhe të lumit të Kapresë, që shquhen për peshkun karakteristik. Akomodimi dhe kuzhina, në këtë pikë gjendet në të gjitha format, që nga ushqimi natyral dhe i thjeshtë i shtëpisë, e deri tek pjatat më të sofistikuara të kuzhinave ndërkombëtare. Shtëpitë e banorëve të veriut e sidomos të Alpeve, kanë hapur dyert për vizitorët e atjeshëm, duke mos e lënë aventurën vetëm në dorën e kampingjeve, ndërsa në zonat e tjera të Shqipërisë, mund të gjendet komoditeti i vërtetë nëpër fshatra turistikë, hotelet dhe komplekset e ndryshme, të cilët duke qenë në fazën fillestare të investimit, kanë vendosur të ofrojnë cilësinë më të lartë të shërbimit standard.

bora

Mrekullia e resurseve natyrore

Resurset natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Resurset natyrore i dallon çdo vizitor, sa lë Grykën e Ndërlysës dhe përballesh me mrekullinë e kanionit të Grunasit që është rreth 2 km i gjatë, 40 deri 60 m i thellë dhe vetëm 2 deri në 3 m i gjerë. Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, spelologëve, gjeografëve etj, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës. Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zonë Ujëvara e Thethit me 25 m lartesi, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar. Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar. Nga Thethi, një ndër vendet më të veçanta të Alpeve të Veriut, në jug, aty ku shtrihet madhërishëm “Syri i kaltër”. Nga vizita te Parqet Kombëtare, te formacionet mbi strukturat pritëse të zonave malore. Nga akomodimi dhe kuzhina shqiptare, te zbavitja dhe mundësitë e argëtimit përmes sportit. Shqipëria mbetet një vend i bukur dhe i mrekullyshëm ku turizmi mund të eksplorohet në të katërta stinët e vitit.

Një vizitë edhe në Valbonë, aty ku plazhi ndërthuret me bjeshkët

Në Shqipëri, turistët e huaj, përveç detit mund të vizitojnë dhe vende ku ndërthuret plazhi me bjeshkët. Një mundësi për pushime të tilla e ofron lumi i Valbonës me ujin e pastër mbi të cilin prehet mali i Jezercës, në rrethin e Tropojës. Janë të shumtë ata që e kanë zgjedhur si vend pushimi, por nuk mjafton vetëm bukuria natyrore. Sipas banorëve të zonës, pushteti lokal duhet të investojë më shumë në infrastrukturë. Uji i pastër i lumit Valbonë, ambienti i bukur natyror dhe qetësia e bëjnë këtë zonë mjaft tërheqëse për pushime. Pothuajse gjatë gjithë 51 km të lumit gjen pushues, të cilët jo vetëm freskohen në ujin e pastër, por gjuajnë edhe troftat e rralla të Valbonës. Ky pushtim i brigjeve të lumit nga pushues të shumtë, i ka dhënë gjallëri zonës dhe nëse deri tani familjet kishin jetuar vetëm me blegtori, bujqësi apo me emigracion, tani është shtuar dhe një burim tjetër të ardhurash, turizmi. Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriore të vendit. Në Valbonë nuk ka hotel të mirëfilltë, por disa shtëpi-kulla karakteristike janë përshtatur sipas traditës në hotele për turistët.

turizem

40 Hanet, destinacioni i turistëve të natyrës dhe zonave rurale

Shqipëria ofron vende të mrekullueshme edhe për turistët e natyrës dhe të jetës rurale nëse ata do të zgjedhin të vizitojnë hanet dhe bujtinat shqiptare, të cilat mund të gjenden nga veriu në jug të vendit. Projekti ambicioz “40 Hanet”, i cili ka dy vjet që funksionon, ofron për turistët e huaj dhe vendas mundësitë për të njohur nga afër jo vetëm bregdetin shqiptar, por edhe traditat tona të hershme. Këto banesa mahnitëse dhe relaksuese rigjallërojnë turizmin në zonat rurale të vendit, duke përmirësuar ekonominë e banorëve të zonave të thella të vendit, të cilët tashmë kanë një alternativë më tepër, përveç emigracionit apo bujqësisë për të siguruar jetesën. Konkretisht, janë shtëpitë e fshatit me kushtet reale të banimit, sigurisht, të mobiluara e të akomoduara sipas traditave të zonave ku janë ngritur. Katër itineraret e këtij projekti përfshijnë në gjurmën e veta hanet, duke nisur nga Alpet e Shqipërisë, më pas bujtinat përgjatë rrugës së njohur si “Via Pubblica”, për të vazhduar me “Via Egnatia” dhe në fund itinerarin e Jugut. Ndërkohë që ekziston një mori kombinimesh dhe akomodimesh, të cilat i japin dorë të lirë turistit dhe agjencive turistike për të eksploruar itinerare të tilla.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com