Trukimet dhe manipulimet e ndeshjeve janë të dënueshme dhe shembujt e ndëshkimit janë dhënë në shumë vende si në Itali, Gjermani, Greqi e Turqi etj. Por rasti i fundit i ndëshkimit të një grupi të madh njerëzish të përfshirë në trukimin e ndeshjeve në kampionatin grek ka bërë bujë, pasi atyre u janë vënë prangat dhe kanë përfunduar në burg. Dhe në këtë histori mashtrimi me rezultatet e ndeshjeve për qëllime përfitimi në baste janë përfshirë edhe pushtetarë vendosë si kyetarë bashkish etj. Prokuroria greke goditi, duke dhënë shembull të qartë bashkëpunimi me UEFA-n, e cila kishte sinjalizuar palën greke për trukimin e ndeshjeve. “Koriopolis” u quajt skandali grek i trukimeve dhe që shpërtheu në vitin 2011, teksa për disa prej protagonistëve janë dhënë masa ndëshkimore edhe me burg për pjesëmarrje aktive.
Skandali u bë publik pasi shumë telefonata të përgjuara përfunduan në mediat më të mëdha në vend, duke zbuluar fytyrën e vërtetë të futbollit me emra bastvënësish, gjyqtarësh, futbollistësh, trajnerësh e pronarësh klubesh, të cilën flisnin hapur për manipulime ndeshjesh në favor të basteve sportive. Mes të dënuarve me burg janë edhe ish-presidenti i Asteras Tripoli dhe ai i Olimpiakos Volou. Ky i fundit, Akiles Beos, ka qenë edhe kryetar bashkie në Volos, ndërsa u ndëshkua me 4 vite burg. Pra të gjithë ata që mashtruan u ndëshkuan dhe organet e prokurorisë në Greqi treguan vullnet në zbatimin e ligjit.
Po në Shqipëri pse nuk ka penalizim për trukuesit e ndeshjeve? Njëjtë si me prokurorinë e Greqisë dhe federatën greke të futbollit, UEFA kishte sinjalizuar edhe FSHF-në dhe Prokurorinë Shqiptare. Madje pati dhe një takim të zyrtarëve juridikë të UEFA-s me pjesëtarë të Prokurorisë tonë, ku u premtua se do të niste një hetim i gjerë. Dosja “Skënderbeu” para se të analizohej nga komisionerët e UEFA-s, ku është përgatitur dhe një raport për ndëshkimin e klubit korcar me 10 vjet pezullim, kaloi së pari në Prokurorinë e Adriatik Llallës. UEFA kërkoi hetim dhe ndëshkim të përgjegjësve. Në listën e atyre që duheshin hetuar përfshiheshin dhe ish-deputetë e ish-ministra, sipas shumë burimeve edhe ish-ministrin e qeverisë “Berisha”, Ridvan Bode. Por Prokuroria doli në konkluzionin se nuk kishte prova për cështjen dhe ia kaloi hetimin prokurorive të disa rretheve, në mënyrë që ata të hetonin sipas ekipeve të përmendura në qytetet e tyre. Përfundimi është se në bankën e të akuzuarve nuk ka asnjë person. Pra këtu shiten e blihen ndeshje ditën për diell, për të cilat kanë dijeni dhe tifozët më të thjeshtë, që manipulohet rezultati i ndeshjeve për qëllime përfitimi në baste etj, e sërish asnjë i dënuar. Adriatik Llalla më shpejt nxitoi të mbyllte dosjen e UEFA-s për cështjen e trukimeve se sa të thellohej e të nxirrte para ligjit fajtorët dhe manipulatorët e futbollit shqiptar.
Përgëzimet e UEFA-s për Greqinë
UEFA ka përshëndetur këtë vendim, për një çështje në të cilën ajo ka punuar përkah autoriteteve greke. “Autoritetet greke filluan hetimin pasi UEFA u dorëzoi një listë prej 41 ndeshjesh të dyshimta në kampionatin vendas. Këto ndeshje u identifikuan nëpërmjet sistemit BFDS, në bashkëpunim me kompaninë Sportradar. Në fillimin e hetimeve, UEFA bashkëpunoi me prokurorinë greke për këtë çështje ndërsa duket qartësisht se bashkëpunimi dypalësh për të identifikuar dhe përndjekur sjelljet kriminale, është thelbësore për çështje të tilla. Përveç bashkëpunimit direkt me forcat policore dhe prokurorinë, UEFA punon gjithashtu me EUROPOL ashtu si edhe autoretete të tjera kombëtare për të nxjerrë kriminelët para ligjit, duke i lejuar UEFA-s që të ndërmarrë masa disiplinore në mënyrë më të shpejtë dhe më efikase”, shkruan UEFA në njoftimin e saj.