Prej një viti e gjysëm Reforma në Drejtësi po zvarritet nga të gjitha partitë politike. Ndërkohë që rezultatet duhej të shiheshin që në vjeshtën e vitit 2016, ende nuk ka asnjë të dhënë nga vetingu, KLGJ e KLP janë bllokuar dhe bashkë me to dhe SPAK dhe Byroja e Hetimit.
Megjithatë, politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar shumë shpejt do të kenë një përballje shumë të fortë me ndërkombëtarët.
Gazeta Sot shkruan se në Tiranë kanë mbërritur rreth 50 ekspertë nga SHBA, të cilët do të japin asistencë në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Bëhet e ditur se ekspertë që kanë ardhur janë ndarë në disa grupe dhe po japin asistencë për disa prej institucioneve shqiptare.
Mësohet se një ekip me ekspertë është stacionuar pranë grupit “Forca e Ligjit”, i cili do të godasë bandat dhe politikanët e lidhur me to. Ekspertët po u japin asistencë agjentëve tanë për hetimet dhe lëvizjet konkrete gjatë operacioneve. Po ashtu një grup tjetër mësohet se pak ditë më parë ka mbërritur pranë Drejtorisë së Pastrimit të Parave, ku po asistojnë në zbulimin parave të korrupsionit të transferua jashtë vendit dhe të investuar në Shqipëri. Mësohet se një grup tjetër ka nisu trajnimet për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Ata qëndrojnë pranë Akademisë së Sigurisë dhe po trajnojnë ekspertë kryesisht në fushat ekonomike, të cilët do të jenë të aftë për të identifikuar emrat e korruptuar. Po ashtu është dhe një grup tjetër që po ndihmon në procesin e vetingut dhe po asiston ONM.
Agjentët janë ekspertë në fusha nga më të ndryshmet, që nga pastrimi i parave, te hetimi, përgjimi, zbulimi i korrupsionit, etj. Mbërritja e tyre në Tiranë tregon se SHBA nuk do të presë më politikën dhe ata do të vihen vetë në lëvizje për të ndëshkuar të korruptuarit. Plani është që brenda vitit të ngrihet Byroja e Hetimit dhe SPAK. SHBA do të sjellë në Tiranë pajisjet më të fundit, të cilat do të përdoren për të shfarosur korrupsionin.