Tre fëmijëve të Lulëzime dhe Blerim Xhafës nuk ju mungon vetëm ushqimi por gjithçka për të jetuar. Të papunë, pa ndihmë ekonomike e sociale, pa asnjë të ardhur, familjes 5 anëtarëshe ia pagoi “Fundjavë ndryshe” dy muaj qeranë e shtëpisë prej fillim janarit.
Por me të mbaruar kontrata e qerasë ata përfunduan në rrugë ditën e sotme, dhe për të mos i lagur shiu i kësaj fillim jave, po qëndrojnë në strehën e shkallëve të pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”.
Që në mëngjes “frymën” e mbajtën në bashki për të gjetur sikur edhe një ndihmë minimale, por nuk gjetën asgjë. Fëmijët po ushqehen me ato që ju falin kalimtarët në rrugë.
Fytyra u është skuqur nga të ftohtët, ndërsa prej banesës ku jetonin deri mbrëmë, kanë marrë vetëm një jorgan të cilin e kanë edhe shtroje edhe mbulesë.
Lulëzimja kërkon vetëm një kasolle mbi kokë, ku mund të fusë fëmijët e saj që i kanë përfunduar në rrugë. Blerim Xhafa tha se vuan nga turbelukozi, duhet të shkonte për mjekim në spital, por nuk ka ku lë fëmijët.
I dorëzoi dokumentet që i kërkuan për të përfituar ndihmë ekonomike, por në fund i kthyen përgjigje negative. Familja e tij nuk mund të përfitojë ndihmë financiare nga shteti.
Ata kërkojnë vetëm ndihmë, që dikush tu mundësojë qoftë edhe një kasolle mbi kokë, të mos ngrijnë së ftohti.
Të gjithë ata që munden dhe duan të ndihmojnë sado pak familjen Xhafa, të kontaktojnë në numrin e telefonit të kryefamiljarit: 0699369655