Loading...

Tërbaçi dhe Labëria do ta nderojnë gjithmonë Hysni Kapon (Histori)

Me rastin e 25-vjetorit të rivarrimit të Hysni Kapos në vendlindjen e tij, në Tërbaç. Një përgjigje për ata që e hoqën Hysni Kapon nga Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë dhe një replikë me vëllain e Sadik Premtes

Bexhet Rrapo*

Njëzetepesë vjet më parë, Partia Demokratike e sapo ardhur në pushtet me një ndjenjë të shfrenuar revanshi, bëri një nga aktet më të turpshme të saj: zhvarrosi nga varrezat e dëshmorëve të atdheut në Tiranë eshtrat e thuajse gjithë ish udhëheqësve më të shquar të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare,mes të cilin edhe Hysni Kapon. Ishte ky një akt politik hakmarrës që indinjoi pa masë gjithë veteranët e asaj lufte të lavdishme që na solli lirinë dhe që nuk mund të shlyhet kurrë nga kujtesa e popullit shqiptar.

Biri  i lavdishëm i Tërbaçit e gjithë Shqipërisë, Hysni KAPO, u nda nga jeta më 23 shtator 1979, nga  një sëmundje e rëndë. Ai u varros  atëherë me të gjitha nderet e respektet që i meritonte në varrezat e dëshmorëve të kombit  në Tiranë,  si Hero i Popullit dhe komisar  i atyre dëshmorëve të rënë për çlirimin e Shqipërisë në luftën nacional-çlirimtare. U Përcoll me dhimbje nga familja, të afërm e gjithë populli shqiptar.

… Mbas disa vitesh do vinte një kohë që do të kthente përmby vlerat dhe heronjtë, për të ngritur në piedestal antivlerat dhe tradhtarët. Luftëtarët  për liri e pavarësi dhe për rindërtimin e Shqipërisë do të quheshin të padëshirueshëm që të preheshin bashkë me dëshmorët që prunë  lirinë e vendit. Pra po ndaheshin komandantët nga  ushtarët. Një  gjykim i tillë  do të bëhej  dhe për Hysni Kapon. Ishte fillim maji i vitit 1992, në vigjilje të Ditës së Dëshmorëve dhe ata filluan  çvarrosjen e komandantëve, komisarëve e gjithë drejtuesve te lartë te shtetit shqiptar nga varrezat e dëshmorëve. Veprim  ky i turpshëm antikombëtar  dhe jonjerëzor.

Në këto kushte, në terrorin fashist të mbjellë nga politikanët e kohës kundra figurave dhe heronjve të këtij kombi, tërbaçjotët nuk do ta linin birin e tyre ta zhvarrosnin këto bisha. Në bashkëpunim  e koordinim me familjen, bashkëluftëtarët e tij tërbaçjotë dhe nga gjithë Shqipëria, organizuan zhvarrosjen e tij. Vendimi  nga familjarët dhe bijtë e Tërbaçit ishte që ai të rivarrosej  në vendlindjen e tij në Tërbaç të Vlorës dhe kështu u bë. Ky ishte një veprim mjaft patriotik, që shprehte dashurinë, respektin dhe unitetin tërbaçjot të trashëguar në breza dhe të farkëtuar më shumë nga vetë Hysni Kapo. Kjo nismë u udhëhoq nga bashkëshortja e Hysniut, Vito Kapo, nga fëmijët e tij, Pëllumbi, Vera e Besniku, si dhe nga bashkëluftëtaret tërbaçiotë  Vehbi Hoxha, Arif Hasko, Kadri Kiça, Haki Gjondeda, Ali Xhaka, Hysni Berdaj etj. Kjo u mbështet nga shumë bij të tjerë tërbaçiotë në Tiranë, Vlorë e qytete të tjera. Gjatë lëvizjes Tiranë-Vlorë-Tërbaç autokolona u përshëndet nga shumë qytetarë në çdo qendër banimi. Një pjesë do t’i bashkoheshin kortezhit për në Tërbaç. Gjatë rrugës  tentuan të krijonin pengesa  individë të izoluar, ndoshta të porositur nga ata që kërkuan zhvarrosjen nga varrezat e dëshmorëve. Në sajë të zgjuarsisë e guximit të organizatorëve, që ishin ushtarakë dhe ish-ushtarakë, këto tentativa do të shmageshin. Autokolona e kortezhi jo që nuk do pakësohej por do të shtohej gjatë rrugës për në Tërbaç. Krahas grupit organizator nga Tirana  kishte dhe një grup tjetër në Vlorë që kishte siguruar dhe pjesëmarrjen më të madhe si dhe ai i pritjes në Tërbaç që kryesohej nga kryeplaku Xhevair Rrapo.

Pjesëmarrja ishte shumë e madhe nga gjithë krahina e lumit të Vlorës  përveç atyre të ardhur nga Tirana e qytete të tjera me djetëra autobusë e mjete private. Folën me këtë rast figura dhe personalitete të tjera si nga parti politike, nga shoqata e veteranëve të luftës e të dëshmorëve. Si Hero i Popullit dhe komisar i njësive të larta të ushtrisë nacional-çlirimtare, Hysni Kapo rivarrimi iu bë me breshëri armësh.

Kësht, Hysni Kapoja do të prehej përgjithmonë në vendlindjen e truallin e tij. Nuk do të kishin më mundësi ta shqetësonin. Kjo ishte data 25 maj 1992. Aty ai ka kundruall dëshmorët me të cilët nisi e përfundoi luftën, ideologun e luftëtarin për liri e dije, Halim Xhelon e trimëreshën legjendare Miro Tërbaçi, por dhe gjithë bashkëfshatarët e tij që i donte dhe e donin shumë.

Nga ajo ditë  kanë kaluar shumë vite ku është folur e hedhur balte për shumë drejtues e bashkëluftëtarë  të tij, por për Hysni Kapon, birin e Tërbaçit vetëm se është rritur respekti, me përjashti të ndonjë rasti të vetmuar…

Më vjen keq që para dy muajsh  nga z .Zija Lepenica, vëllai i Sadik Premtes, ështe promovuar një libër  kushtuar S.Premtes, ku thuhen dhe disa të pavërteta historike për luftën nacinal-çlirimtare për qarkun e Vlorës  dhe në veçanti për Hysni Kapon e Tërbaçin. Aty thuhet se këshillat nacional-çlirimtare në Lumin e Vlorës dhe në Tërbaç i ka krijuar Sadik Premte, po ashtu dhe për organizimin e partisë komuniste. Por e vërteta qëndron ndryshe. Sipas historikut që ne disponojmë, i përpiluar nga  Vebi Hoxha e Arif Hasko të cilët kanë qenë edhe bashkëluftëtarë me S.Premten deri sa ai i tradhëtoi idealet e luftës nacional-çlirimtare ku thuhet:  Në mars të viti 1942 në shtëpinë e H. Kapos në Buzujk është formuar këshilli  i fshehtë me 5 veta, nga vetë Hysni Kapo. Më vonë,  në nëntor 1942 në shtëpin e Baxhul Gjondedes është formuar këshilli më i plotë,  i  deleguar në emër të frontit antifashist nacional-çlirimtar ka qenë  Ibrahim Dervishi. Për sa i takon formimit të organizatës  së partisë komuniste në Tërbaç i deleguar ka qenë Mehmet Shehu. Sipas po këtij historiku rezulton se Sadik Premte të ketë ardhur në Tërbaç  vetëm në 1943 , periudha e fraksionit, i cili ka kërkuar mbështetje nga organizata e partisë. Ata i janë përgjigjur duke i thënë se kur të vijë djali jonë do ta diskutojmë këtë problem dhe e dimë vete ne si do gjykojmë dhe këshu u bë.  Hysniu  vjen, bën takime e sqarime me popullin  dhe më 15.5.1943  bëhet mbledhja e fshatit  në Bragjin, bregu i kuvendeve për Tërbaçin, aty u vendos mbështetja e luftës Nacional-çlirimtare  e vetë Hysni kapos dhe njëkohësisht dënimi  i tradhtisë së Sadik Premtes. Do të veçoja se në këtë promovim libri nga folës u tha se S.Premte  është hero i Lumit të Vlorës. Ky deklarim është ofendim për ata që janë heronj të vërtetë, të cilët e nisën dhe përfunduan luftën, duke vlerësuar ata që  i lanë  në mes dhe i tradhtuan idealet e kësaj lufte.

Këto shpifje nuk i deformojnë dot faktet historike  dhe sidomos vlerat dhe kontributin e Hysni Kapos, ai ka lënë gjurmë të mira si në luftë, por dhe më vonë në rindërtimin e vendit. Për këtë figurë thuhen vetëm fjalë të mira, sepse ai ka dashur e ka mbështetur njerëzit e thjeshtë.

Duke qenë se jemi dhe në 25 vjetorin e prehjes në vendlindjen e tij  ja vlen të flasim pak dhe për një ndërhyrje që është bërë në memorialin ku ai prehet. Kishte kaluar një kohë e gjatë, nga koha e rivarrimit që përkonte dhe me një periudhë të vështirë, ambienti nuk ishte dhe shumë i përshtatshëm, me kalimin e kohës kishte dhe dëmtim, kjo kërkonte ndërhyrje. Ajo u bë nën  kujdesin e familjes dhe kontributin e atyre që e kanë dashur dhe e duan Hysni Kapon. Puna u krye nga specialisti  talentuar tërbaçiot  Adif Cane,  i cili është mjeshtër i punimit të gurit e mermerit. Në sajë edhe të projektit ambienti ka dalë shumë i bukur, i  punuar krejt në mermer nga porta dhe ambientet e sheshit.

Për figurën e ndritur të Hysni Kapos, bijtë e Labërisë dhe sidomos Shoqata Atdhetare Kulturore Tërbaçi organizon shpesh veprimtari përkujtimore mbresëlënëse. Sepse Labëria dhe Tërbaçi nuk i harrojnë kurrë bijtë e saj të mëdhenj.

*Kryetar i Shoqatës Atdhetare-kulturore “Tërbaçi”, Vlorë

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com