Një incident i rëndë ka ndodhur në Prokurorinë e Vlorës. Mësohet se, Viktor Sherifaj, i cili ishte thirrur për të dhënë sqarime nga prokurori Kledian Llaho, e ka goditur me kokë këtë të fundit në zyrën e tij.
Mësohet, se Llaho e kishte thirrur në zyrë Sherifajn për ta njohur me vendimin e pushimit të kallëzimit penal që ky i fundit kishte bërë disa muaj më parë.
Çështja kishte të bënte për një pronë që Sherifaj pretendonte se ishte përfituar me dokumente false dhe kishte marrë po ashtu edhe kompensim nga shteti. Prokurori Llaho ka ndjekur çështjen dhe pas shumë hetimesh rezultoi se kjo nuk kishte të bënte me vepër penale.
Me këtë vendim nuk ka qenë dakord Sherifaj i cili ka filluar të bërtasë në zyrën e prokurorit duke e goditur atë më pas me kokë, pasi prokurori i kishte thënë se do të njoftonte policinë. Llaho u lëndua në hundë. Ndërsa menjëherë në vendngjarja ka ardhur policia e cila bëri të mundur arrestimin e Viktor Sherifajt.