Pasi rriti taksat për çdo biznes të vogël dhe pasi futi taksën e pronës e cila duhet paguar me faturën e ujit, tashmë qeveria Rama po përgatit dhe një taksë të re për çdo familje. Do të rritet me 50 përqind taksa për aparatin e televizorit në shtëpi. Këto ditë u vendos edhe taksa e Rrugës së Kombit ku pritet edhe rrugët e tjera të vendit të kenë taksa e tyre.
Taksa, taksa!
Të ardhurat e grumbulluara nga taksa e televizorit arritën në vitin 2017, më rreth 1.2 miliardë lekë ose rreth 9 milionë euro, sipas të dhënave që Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Publik Shqiptar raportoi në Kuvendin e Shqipërisë.
RTSH propozon se “një rritje prej 50 % mbi nivelin aktual do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar, për shembull, pagesat vjetore për “Deutsche Bank” të marra për procesin e dixhitalizimit”. Rritja e fundit u shënua në vitin 2011, nga 600 në 1200 lek në vit për çdo familje. Qeveria e ka në plan që kjo taksë të rritet për qytetarët, pasi në ministrinë e financave e quajnë të vogël. Në 2014, RTSH siguroi një rritje të pazakontë të të ardhurave si rezultat i mbledhjes së taksave të papaguara në vite, përmes Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), rezultat ky edhe i nxitjes së madhe të qeverisë për të kufizuar humbjet e energjisë. Pjesa më e madhe u përdor për të parapaguar 15 për qind të kredisë së dixhitalizimit. Në ministrinë e financave thonë se nuk është ndonjë rritje e madhe kjo taksë, pasi nuk rëndon në xhepin e familjeve, sepse është e vogël në vlerë ndonëse ka zhurmën me 50 %.
Por RTSH pohon se që nga ajo kohë, të ardhurat e mbledhura nga taksa e aparatit kanë shkuar në nivele më modeste. Për shembull, në 2017 mbledhja e taksës ishte në nivel 10 për qind më të ulët se në 2016, duke krijuar një deficit prej 750,000 Eurosh.
Veç kësaj, OSHEE mban 10% të taksës së mbledhjes, që është mjaft e lartë e krahasuar me tarifat e vendosura nga operatorë të ngjashëm në Europë, që shkon mesatarisht nga 1.5 % në 4.5%.
RTSH analizon se të ardhurat nga taksat e aparatit konsiderohen si burimet kryesore dhe më të qëndrueshme të të ardhurave për transmetuesit publikë në kontinent, pjesërisht sepse është një e ardhur e garantuar e parashikuar çdo vit dhe të lejon të bësh plane për buxhetin.
Në rastin e RTSH-së, të ardhurat nga taksat e aparatit përbëjnë 76% të të ardhurave në total (përjashto këtu grantet vjetore të qeverisë nga buxheti i shtetit, të cilat përcaktohen me ligj se për çfarë shërbimesh apo aktivitetesh të RTSH-së do të përdoren) . Në terma krahasues, niveli i taksës së aparatit në Shqipëri është akoma më i dobët se të ardhurat totale për frymë të RTSH-së.
Tarifa e shërbimit për përdorimin e aparateve televizive është 120 (njëqind) lekë në çdo muaj me gjithë TVSH.
Tarifa paguhet nga përdoruesit familjarë dhe nga përdorues të tjerë jofamiljarë. Përdoruesit familjarë paguajnë tarifën vetëm për një marrës televiziv, pavarësisht nga numri i aparateve që kanë në familje. Përdoruesit e tjerë jofamiljarë paguajnë tarifën për çdo aparat televiziv shkruan revista e njohur Monitor.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është agjenti për mbledhjen e tarifës së shërbimit për përdorimin e aparateve televizive. Mbledhja e kësaj tarife bëhet çdo muaj”.
Në fakt sondazhet tregojnë RTSH nuk shikohet ose shikohet fare pak në qytete. Por taksa po rritet me 50 %.