“Nuk qaj më, më ka marrë malli të qaj. Jam kaq e lumtur”, me këto fjalë na pret Sidorela nga Gramshi, kur e pyesim si ndihet pak javë pasi historia e saj bëri xhiron e botës.
Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” në “News24” ka një tjetër surprizë të madhe për të.
“Shqiptarët për shqiptarët” udhëtoi sërish në Gramsh, tek banesa e Hasanit. Për stafin e emisionit ka gjithmonë një arsye për t’u kthyer atje, tek Sidorela dhe Aisha. Motrat janë gëzuar shumë këtë javë.
“Kam filluar të bisedoj me mamin, më kishte munguar shumë të bisedoja më zë të ulët më të pasi gjithmonë kur flisja me mamin ngrija zërin. Mami dëgjon shumë mirë tani”, thotë Sidorela.
“Tani shtëpia sikur ka rënë që qetësi, nuk ka më zhurmë si më parë”, thotë Hasani duke qeshur.
Nga ana tjetër, e ëma e Sidorelës dhe Aishë thotë se: “Tani i dëgjoj vajzat çfarë më kërkojnë dhe çfarë më thonë”.
Vajzat ndryshimin e së ëmës e kanë ndier qysh në momentin që hyri në banesë pas kthimit nga Tirana, ku ishte kuruar për përmirësimin e dëgjimit.
“E ku ka më bukur zgjohemi në mëngjes, pimë të treja kafen me mamin, llafosemi normalisht pa i bërtitur njëra-tjetrës që të merremi vesh siç bënim më parë”, thotë Aishja.
“Babi kishte shumë halle që i rëndonin, por tashmë çdo gjë është rregulluar, kjo falë shqiptarëve, falë Elvisit, Sidritit”, thotë me sytë që i qeshin Sidorela.
Në fakt, biseda për dëgjimin e së ëmës së Sidorelës kishte për qëllim që ajo të hutohej paksa, dhe të mos kuptonte një tjetër surprizë të madhe që “Shqiptarët për shqiptarët” kishte përgatitur për të.
Kantautori Alban Skënderaj e ka befasuar përsëri Sidorelën gjatë koncertit të tij ku e ndiqnin mijëra persona të pranishëm.
Gjatë koncertit që e ka mbajtur në Pallatin e Koncerteve, Albani ka menduar një surprizë të veçantë që ka emocionuar publikun në sallë. Sidorela nuk ka mundur të ndjekë nga afër koncertin madhështor të idhullit të saj.
Por përmes telefonit me “Skype”, Albani i ka kënduar ‘live’ asaj këngën e tij dhe të Miriamit ‘Dhurata’. Kjo këngë është e preferuara e vajzës nga Gramshi, gjë që ia shprehu vetë Albanit, kur ai e takoi në shtëpinë e saj disa javë më parë.
“Sidorela nuk ka mundur dot të jetë këtu sot, kam menduar t’i bëj një surprizë, ju si thoni”, pyeti Albani publikun. Kur Sidorela hap telefonin habitet nga surpriza e papritur. “Përshëndetje, të uroj shumë suksese”. i thotë ajo Albanit.
“Shumë njerëz i ke bërë të reflektojnë, dhe të vlerësojnë gjithçka që kanë në jetë. Vazhdo të jesh kështu, e fortë plot energji”, ishte mesazhi i Albanit nga skena për Sidorelën.
Vajza ka përjetuar gjithë emocionet e skenës, kur Albani e ftoi të kërkonte për t’i kënduar në skenë këngët që kishte më përzemër.
“Nuk e prisja që unë të isha pjesë e ëndrrës së atij. Nuk ma priste kurrë mendja, une mendova se ma dhatë telefonin celular për të parë diçka”, thotë Sidorela.
Mesazhi në celular nuk vonoi, kënga “Dhurata” u performua me shumë dashuri nga çifti Skënderaj. Albani ftoi në skenë Miriamin dhe të dy kënduan për Sidorelën, zemra e së cilës rrahu më shumë se zakonisht.
“Sot u bëra pjesë e koncertit, gjithë njerëzit duartroktiën për mua”, thotë ajo mes emocioneve.
“Hyre pa biletë”, i thotë e motra me shaka. “Epo Albani tani më ka shoqe”, ia kthen Sidorela e lumtur.
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=nrTZLL6Brd0]