Nisi sot faza vendimtare e procesit të Vetingut: seacat dëgjimore me gjyqtarët dhe prokurorët e parë në Pallatin e Kongreseve, në orën 11:00 me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
I pari paraqitet anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, para trupës gjykuese të përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Brunilda Bekteshi dhe Etleda Çiftja. Lulo, pak para zgjedhjeve të 2013, pikërisht në muajin maj, u emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ku më parë mbante pozicionin e anëtarit të Gjykatës së Lartë që nga viti 2005.
Përfaqësuesit e SHBA-BE do bëjnë pyetje. Shqiptarja.com ka mësuar se gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari Fatos Lulo, do të pyetet rreth veprimtarisë së tij edhe nga gjyqtarët dhe prokurorët e SHBA-BE, pjesë e ekipit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që po asiston në procesin e Vetingut. Gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë janë Theo Jacobs, Ferdinando Buatier de Mongeot, Elka Ermenkova, Branko Hrvatin, Hans Kijlstra, John S. Leonardo, Mia Roessingh-Bakels dhe Marie Tuma.
Këta do t’i drejtojnë pyetje gjyqtarit rreth të dhënave që kanë mbledhur ata vetë dhe përfaqësuesit shqiptarë rreth pasurisë së gjyqtarit dhe kontakteve të mundshme me botën e krimit.
Vëzhguesit ndërkombëtarë janë njoftuar prej disa ditësh për zhvillimin e kësaj seance dëgjimore. Kjo praktikë do të ndiqet për çdo gjyqtar apo prokuror që do të merret në pyetje.
Gjyqtari apo prokurori ka të drejtë të mos i përgjigjet asnjë pyetje, por kjo mund të konsiderohet mungesë bashkëpunimi dhe për rrjedhojë, kjo sjellje, rëndon më tej pozitat e tij. Vendimi për gjyqtarin e parë, afati Pas seancës së sotme dëgjimore, Komisioni i Vlerësimit do të marrë një vendim për gjyqtarin Fatos Lulo, nëse duhet të përjashtohet nga drejtësia, duhet të shërbejë në sistem apo të vazhdojë shkollën e riedukimit. Vendimi do të merret brenda 30 ditëve pas përfundimit të seancës dëgjimore, ndërsa do të publikohet në faqen zyrtare të Komisionit, bashkë me arsyet përkatëse. Vendimi do të bazohet në gjetjet që kanë dalë gjatë hetimit administrativ. Në përfundim të procesit, Komisioni duhet të vendosë mes tre opsioneve, shkarkimin nga detyra, konfirmimin në detyrë ose pezullim nga detyra për një periudhë 1-vjeçare dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.