Prej disa ditësh opinionin publik po “zien” prej komenteve dhe reagimeve lidhur me lobimin e PD për imazhin e Lulzim Bashës, një investigimi i botuar në “Mother Jones”. Një reagim i cili përcjell edhe shqetësim vjen nga gazetarja Sonila Meço.
Meço ka ngritur disa pyetje të rëndësishme, ku thekson se ky lloj lobimi për politikanët tanë, nuk ka sjellë asgjë të mirë për shqiptarët, duke shtuar se investimet e aktet konkrete ende nuk janë parë në Shqipëri.
“Lobimi në Shtetet e Bashkuara për politikanë shqiptarë, veç shpëlarjes a përlyerjes së imazheve të politikanëve, çfarë ka prodhuar për shqiptarët?”, ka shkruar Meço.
KOMENTI I PLOTË:
Ku qëndron Shqipëria në axhendën globale të Shteteve të Bashkuara?
Çfarë interesash madhorë ekonomikë e gjeopolitikë kryqëzohen në Shqipëri, që lënë pa gjumë këshilltarë e strategjistë të presidentit dhe administratës amerikane?
Lobimi në Shtetet e Bashkuara për politikanë shqiptarë, veç shpëlarjes a përlyerjes së imazheve të politikanëve, çfarë ka prodhuar për shqiptarët?
Me një logjikë të thjeshtë, duke gjykuar informacionin që vjen nga SHBA, të besojmë DEA-n amerikane që vë alarmin për shndërrimin e Shqipërisë në vendin kryesor të tranzitit të drogërave në Europë, sasitë që kapen përditë, apo artikujt e lobistëve që kur e ndjejnë se ata që i paguajnë janë bërë mish për top, nxjerrin në treg një mish më të freskët? Se vetëm për këtë paguhen, hajër me investime e akte konkrete për Shqipërinë ende nuk u kemi parë…