Loading...

Si u katandis PD-ja në një thes të shpuar

E vërteta e PD-së është portreti i saj i sotëm: një figurë politike më shumë qesharake, se sa besimdhënëse; një njeri i thirrur nga familja, për të ruajtur familjen; i pabesueshëm tek militantët e vjetër, por i ndjekur nga ujqërit e rinj, ai do e dërmojë aq shumë forcën politike që drejton, sa nuk do të mund t’i bënin dhjetëra e qindra kundërshtarë seriozë dhe të mençur.

Shkruan Bedri Islami

Në 22 mars 1992 Partia Demokratike mori një fitore të paralajmëruar dhe që dihej nga kushdo. Sinjali ishte dhënë më 1 mars të vitit të kaluar. Qytetet më të mëdha i kishin besuar asaj: Qendra e Tiranës, që njihej si “lagjja ku kishte lindur partia”, nuk votoi për presidentin e vendit, po për një inxhinier, ende të panjohur, që shumë shpejt doli nga jeta parlamentare.

22 marsi ishte thuajse i gjithë blu. Se çfarë do të ndodhte më tej nuk dihej asgjë. Vendi ishte i përmbysur, dhe si të mos kishte mjaftuar kjo, njerëzit ishin joshur me “çelun e bardhë” dhe “teorinë zero”. E vetmja gjë e sigurt ishte se e nesërmja do të ishte e hënë.

Që të nesërmen gjërat filluan të zbehen. Orët e entuziazmit po mbaronin shumë më shpejt se  sa kishin ardhur dhe sheshet e mbushura të ditës së 22 marsit, edhe nëse nuk u zbrazën, filluan të rrudhen.

Përse ndodhi kjo? Si është e mundur që një forcë politike, e cila mendohej se do të ishte shpresa e njerëzve drejt ëndrrës, brenda një kohe të shkurtër, çka nuk kishte ndodhur me asnjë parti tjetër opozitare në bllokun e Lindjes, do të merrte rrokopujën, për të shkuar drejt asaj që është sot, mjet kamikaz në duart e një grupi të vogël, përgjithësisht të fshehur pas shpinës së ish liderit të tyre dhe që, për vogëlima financiare  shesin edhe vizionet e fillimit të dhjetorit 1990?

Fitimtarët e 22 marsit nuk ishin gjë tjetër veçse ardhja e dytë, e mesme, e pushtetit të mëparshëm. Të gjithë kishin qenë në poste të nivelit të dytë, asnjëri i nëpërkëmbur, nga ish të përndjekurit dhe familjet e njohura asnjë nuk ishte ftuar për të qenë pjesë e qeverisë së re dhe, rasti i Pjetër Arbnorit, në drejtimin e parlamentit, më shumë se gjithçka tjetër, nuk ishte veçse një qokë politike.

Pak muaj më pas, në zgjedhjet vendore, do të vinte debakli i parë. PD do të ruante disa bastione, por do të humbiste shumicën.

Një vit e gjysmë më pas, në referendumin për Kushtetutën e re, që e shpallte Shqipërinë Republikë Parlamentare, po ku presidenti kthehej në një mbret, ishte dështimi i dytë i madh, kur na ra marramendshëm shpejt dhe nuk do të ndalej më.

Përse ndodhi e gjithë kjo?

Janë disa arsye themelore dhe shumë të tjera, rrethanore,  që i rrethuan këto arsye.

PD-ja, vendosi që qeveria e re t’i besohej një figure të lartë intelektuale, si Aleksandër Mesi dhe rreth tij ndërtoi një kabinet, i cili, edhe pse dukej se do të kishte njerëz vizionarë, në të vërtetë mentalitetin e tyre e mbyti koncepti shpellar.

Nëse kishte ndryshuar veshja e saj e jashtme, si do të dukej në një shtet shumëpartiak, thelbi kishte mbetur i njëjtë: ata do të hiqnin dalëngadalë “pardesytë e bardha” për të veshur mantelin e fitimtarit dhe kjo do të sillte shkatërrimin e asaj që ishte menduar. Të vetëfryrë me idenë e lirisë ata u bënë tiranë. Të thirrur për të bërë ringritjen, ata vazhduan me përmbysjen. Gjithnjë me fjalët e mëdha të demokracisë në mitingje, në praktikë ata filluan të marrin “revanshin” ndaj atyre me të cilët kishin qenë bashkëvuajtës disa muaj më parë. Duke qenë se shumica e tyre vinin nga radhët e komunistëve, apo familjet e tyre kishin strehë e saj, ata menduan se, ashtu si kishte ndodhur me lëvizjen komuniste, edhe këta do të rrinin 40 vite në pushtet.

Më ka ndodhur të jem në takimin e parë të Berishës pasi ishte zgjedhur president. Në pyetjen e parë nga salla se çfarë do të ndodhte nëse socialistët do të vijnë një ditë në pushtet, do të vinte edhe thirrja megalomane se “edhe për 50 vite nuk ka socialistë në pushtet. Unë ju garantoj”.

Ishte e vështirë për ta të thërrisnin mendjet, sidomos mendjet që rrezatonin ndershmëri dhe si të tillë, një ditë mund të rebeloheshin. Ata thirrën brenda vetes atë amalgamë që ishte e gatshme të shërbente, pavarësisht së shkuarës së saj.

Kthehem edhe një herë në takimin e cituar më sipër. Një ish i burgosur politik, Ded Kasneci, ndjesë pastë, duke folur për afrimin në postet e larta të një gjyqtari, Rustem Gjata, pyeti se si ishte e mundur, kur ky gjykatës kishte bërë ndoshta gjyqin e fundit politik në Shkodër, në të cilin kishte dënuar me vdekje, pa asnjë fakt konkret, dy ish ushtarakë, Enver Biçanakun dhe Rustem Tabakun, erdhi edhe përgjigja e njeriut që ishte menduar të risillte shpresë, se “ai na ka ndihmuar në hartimin e programit dhe regjistrimin e partisë”.

PD-ja, përmes shampanjës që derdhi zonja Shehu në parlament, ditën që Berisha u shpall president, vendosi në krye të shtetit, jo rastësisht, njeriun që do të shndërrohej shumë shpejt, fillimisht në një tiran të vogël dhe pastaj në një tiran të madh.

Rikthimi i kultit, çka vazhdon edhe sot e kësaj dite, do të ishte njëri nga mëkatet e humnerës që la pas vetes forca politike e 22 marsit të 16 viteve më parë. Kaq e fortë është kjo ndjenjë, sidomos në një grupim të lidhur me rrethin, traditën e familjen e tij, sa edhe tani, një ish zëvendësministre, e njohur për shpërthimet e saj antiamerikane, do i bënte thirrje “kthehu , bac!”.

Askush tjetër si liderët e parë të PD-së fillimisht dhe të tjerët më pas, mizorisht, nuk u bënë pjesë e krimit financiar, për të shkuar më pas në krimin politik të vitit 1997.

Askush tjetër si ata, ia di gjynahet edhe elitës politike socialiste, që nuk ishte aq e gatshme të krijonte monopolet dhe oligarkinë financiare; të ndërtonte një sistem gjyqësor mizor, siç ishte ai i njohur si Plepat e Durrësit; asnjë forcë politike nuk solli në strukturat e saj aq shumë njerëz pa mendje, pa ide dhe plaçkitës.

Përse ndodhi e gjithë kjo?

Çdo gjë është në zanafillën e saj.

Ajo nuk u ngrit si një parti mbi bazën e një programi politik, të menduar gjatë dhe të organizuar në një hapësirë kohore.

Më shumë se parti, ajo ishte një shpërthim revolte, i nxitur nga vetë pushteti i kohës, si një shfryrje e ngadalshme për të shpëtuar veten.

Një grumbull njerëzish, shumë nga të cilët shkonin ende në mbledhjet e demokratëve duke pasur në xhep teserat e PPSH-së, as nuk kishin menduar në fundin e nëntorit se mund të jenë pjesë e një partie opozitare.

Ata i zuri opozitarizmi në rrugë, u bënë fillimisht pjesë e saj, pastaj me forcë, përmes lëvizjeve rrugaçërore, u bënë elita drejtuese dhe forca goditëse.

PD është quajtur parti e djathtë, por kurrë nuk ka qenë e tillë. Një konglomerat idesh, përplasjesh, mashtrimesh, ku vizionarët e paktë janë thyer që në fillim dhe ku vulgu i rrugëve ka ngritur piedestalin ku është vendosur një njeri i vetëm.

Se çfarë kanë në themelet e piedestalit, kjo është e qartë tashmë për të gjithë. Se sa kohë ata do të mbajnë mbi këtë grumbullim guror një figurë, edhe kjo nuk do të lërë rrjedhën e shumë viteve që të jetë e qartë.

E vërteta e PD-së është portreti i saj i sotëm: një figurë politike më shumë qesharake, se sa besimdhënëse; një njeri i thirrur nga familja, për të ruajtur familjen; i pabesueshëm tek militantët e vjetër, por i ndjekur nga ujqërit e rinj, ai do e dërmojë aq shumë forcën politike që drejton, sa nuk do të mund t’i bënin dhjetëra e qindra kundërshtarë seriozë dhe të mençur.

Sa herë që ai flet me fjalë të mëdha, për politikë të madhe, më kujtohet një fjalë e urtë që e përmendte shpesh herë halla ime e moçme: “I paafti jo vetëm që nuk të hedh gjë në thes, por të shpon edhe thesin”.

A është PD-ja sot një thes i shpuar?

Unë besoj, po.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com