Nga Rrahman Parllaku
55 viteve më parë, gjyqi farsë ndaj të ashtuquajturit “grupit armik të Teme Sejkos dhe Tahir Demit” përfundoi me 65 të dënuar, 13 të pushkatuar, 9 prej tyre vdiqën në burg, 4 të dënuar me vdekje që më pas bënë 25 vite prapa hekurave dhe mbi 1000 vite burgim të dhëna nga gjykatat. Sot, ata përkujtohen në një tubim përkujtimor nga Shoqata Atdhetare “Çamëria”
Me Temen nuk më ka takuar fati të njihem në Luftën Nacionalçlirimtare, po u njoha kur ai u kthye nga studimet e pambaruara në ish-Bashkimin Sovjetik, bashkë me Mehmet Shehun, Tahir Kadarenë e Abaz Fejzon, të thirrur nga qeveria shqiptare për të drejtuar e transformuar ushtrinë, nga ushtri partizane në ushtri kombëtare
Mehmeti u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm, Tahiri, zëvendës i tij; dy të rinjtë, Temja dhe Abazi, shefa shtabi divizionesh: Temja në Gjirokastër, Abazi në Korçë. Ishin këta dy të rinj, dy ish udhëheqësa të Luftës Nacionalçlirimtare, me përgatitje të lartë ushtarake, dy të rinj të dalluar në luftë, por që po shkëlqenin edhe në studimet akademike.
Unë në atë kohë isha drejtor i Personelit të Ushtrisë. Jam njohur që në atë kohë me Teme Sejkon. Më vonë, mbasi unë mbarova studimet e larta ushtarake në ish-Bashkimin Sovjetik, kur u ktheva më 1951, Temen e gjeta në detyrën e Shefit të Zbulimit.U bëmë kolegë pune në organet e Shtabit të Përgjithshëm.Këtu fillon shoqëria jonë e pandarë, deri ditën e arrestimit të Temes.
Duke u shmangur pak nga tema, dua të vë në dukje se shokët e mi më të afërt në Luftë u bënë çamët, dy luftëtarë të shquar, Ali Demi e Ilmi Seiti, për të cilët kam shkruar e folur.
Aliun e njoha në gusht 1943 kur erdhi në Vlorë, pas daljes nga burgu nëpërmjet tunelit që vetë e kish ideuar e drejtuar punimet, nën hundën e fashistëve. Ai, fillimisht erdhi pranë Komitetit të PK të Qarkut Vlorë dhe me kalimin e Hysni Kapos në radhët e ushtrisë, u bë sekretar politik i KP K të qarkut. Ardhja e tij në këtë detyrë ndryshoi stilin e drejtimit; i dha fund ekstremizmit e përçarjeve që na kish lënë trashëgim Dushan Mugosha, e zbatuar me zell nga udhëheqësit e mëparshëm. Vrasja e tij qe një humbje e madhe.
Për Ilmi Seitin kam shkruar gjatë, për karakterin e tij burrëror, për zgjuarsinë e tij të jashtëzakonshme dhe qëndrimin e tij humanist, edhe në sektorin ku punonte. Këtë e pamë më mirë unë e Temja, kur i organizuam ceremoninë e varrimit, ku pothuajse mori pjesë i gjithëpopulli i Shkodrës dhe shikonim burra e gra me lot në sy. Dhe këtë e bënin për ish drejtuesin e Sigurimit.
Të gjithë e dimë se çfarë krimesh ka bërë diktatura në Shkodër, por burrëria, çiltërsia e humanizmi i Ilmi Seitit u vlerësuan nga populli i Shkodrës.
Nuk dua të lë pa përmendur një mikun tim çam, që ishte nga burrat më të moshuar të Brigadës, komisarin Abdyl Resuli, që e drejtonte batalionin në të gjitha luftimet dhe i gjithë efektivi e respektonte, pasi sillej me ta jo si drejtues, por kujdesej si prind.
Njohja me Temen dhe shoqëria me të vazhdoi jo vetëm gjatë kohës që punuam bashkë në Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe kur ai u caktua në detyrën e Komandantit të Flotës Luftarake Detare, pasi detyra ime si zëvendësministër për përgatitjen luftarake më bënte të kisha kontakte të shpeshta me të. Gjithnjë kisha gjetur mirëkuptim e ndjehesha i kënaqur për punën që bëhej në repartet e Flotës për përgatitjen luftarake e përvetësimin e teknikës së re me të cilën po pajisej Flota.
Por fatkeqësisht, kur Temja ishte në kulmin e aktivitetit të tij, kur po shprehte aftësitë e pjekurinë e tij në kryerjen e detyrës së lartë, u godit nga diktatura.Dhe kjo nuk qe një goditje individuale, por goditje ndaj grupit të intelektualëve çamë.
U gëzova kur Temja erdhi në Tiranë dhe më tha se do të shkonte për mbarimin e studimeve të larta Akademike. Në këtë kohë, takimet e shoqërimi im me Temen u shtuan. Ndiqnim bashkë ndeshjet sportive të ekipeve, jo vetëm të futbollit por edhe volejbollit e basketbollit.
Dilnim shpesh bashkë në Shtëpinë e Ushtarakëve.Pritja e tij u zgjat, po Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ngarkonte detyra.Unë kërkoja t’i ndodhesha në shoqëri, pa e ditur se ç’e priste.
Kisha planizuar të organizoja e drejtoja një stërvitje në Vlorë me trupa, që do të vazhdonte 5-6 ditë.
I them Temes: – Eja me mua, qëndro pranë familjes, të lë edhe veturën se do udhëtoj me gaz.
Vij, – më tha, po më ka ngarkuar shefi një detyrë që e kam mbaruar, po nuk i kam raportuar, pasi ai është me pushime në Durrës.
Eja, – i thashë, se e takojmë Petritin, dhe i them se e mora Temen të rrijë pranë familjes dhe kthehemi bashkë.
Petriti, pyeti Temen: E mbarove materialin, dhe ai iu përgjigj se e kishte mbaruar.
Na mbajti për kafe, si duket do t’i dërgonte ndjekësit e Temes në Vlorë, pasi Petriti ishte në dijeni të skenarit që po përgatitej për Temen. Drejtuesi i grupit, pas arrestimit të Temes, deklaroi se kur ndalonte makina ime, shtrihej në sedilje të mos e shihja kur kaloja!!!
U kthyem me Temen, me shpresën se ai do të shkonte të mbaronte studimet, dhe isha i bindur se do t’i mbaronte me Medalje të Artë, si shoku i tij Abaz Fejzo. Por diktatura, u kishte caktuar të dyve fundin tragjik: Temja vdes në tortura, kurse arkivolin e Abazit e përcolla më 12 janar 1987 nga burgu i Burrelit.
Të dy këta heronj të luftës, që vunë talentin e tyre në shërbim të mbrojtjes së atdheut, duke komanduar dy armët elitë të ushtrisë: Temja komandoi Flotën Luftarake, kurse Abazi komandoi forcat tankiste, u trajtuan në mënyrë barbare nga diktatura. Dhe bashkë me ta, nga ai genocid i pashembullt u shkatërruan edhe familjet e tyre, si edhe të mijëra kuadrove e luftëtarëve të shquar.
Të them të drejtën, kur e dëgjova Temen në gjyq, mbeta i zhgënjyer, por e besova kur më ra mua ta provoja, kur më futën në qeli e brenda saj në kafaz si kafshët e egra, ku jetova 11 muaj i izoluar nga bota dhe për 15 muaj pa asnjë lidhje me familjen, pa ditur nëse i kam gjallë!
Kur u them njerëzve që kam jetuar në kafaz, nuk u besohet! Po u them të takojnë e të pyesin hetuesin tim Pirro Dautajn e prokurorin Murat Konomin. I përsëris këto, se diktatura i ka detyruar njerëzit të dalin nga vetja, kur përveç torturave fizike e psikologjike të kërcënonin edhe me shfarosjen e familjes.
Vetëm kur të kesh kaluar nga ferri i diktaturës mund ta kuptosh gjendjen e atyre njerëzve që janë detyruar të dalin nga vetvetja.
Po diktatura është treguar tepër e ashpër ndaj asaj pjese të popullit tonë, kosovarëve e çamëve që kanë vajtuar genocidin e pashembullt, dhe që nuk dinë as sot varret e të afërmve.Ose të krimeve të Drenicës e Tivarit, që u përsëritën edhe nga Millosheviçi.
Përse diktatura mbajti këtë qëndrim ndaj dhjetra mijëra qytetarëve shqiptarë?
Unë në këtë moshë jam tepër i zhgënjyer që nuk ka një dënim kombëtar të diktaturës.Ende ruhen simbolet e saj; edhe sot e kësaj dite nuk i janë hequr diktatorit E. Hoxha titujt.I vdekuri nuk gjykohet, por parlamenti duhet të vendos dhe të mos mbeten të barazuar viktima me xhelatin.
Çështja çame sot është problem kombëtar, siç ishte Kosova dje – dhe më vjen mirë që ajo gjen gjithnjë e më shumë mbështetje. Është detyrë e çdo qeverie të mos reshtë së ngrituri këtë çështje me ndërkombëtarët, deri sa të gjejë zgjidhjen e merituar.