Loading...

Si po fuqizohet banka e drejtuar nga Linda Rama, e bekon edhe Konkurrenca

Monopoli në bankat e nivelit të dytë, tashmë duket se ka vetëm një emër dhe ajo është Banka Amerikane e Tregtisë e njohur si “ABI Bank”, ku anëtare e bordit të saj drejtuesështë bashkëshortja e kryeministrit Linda Rama.

Autoriteti i Konkurrencës ka aprovuar kërkesën mbi shitjen dhe transferimin e aksioneve të Bankës NBG Albania SHA, nga Banka Kombëtare e Greqisë S.A tek Banka Amerikane e Investimeve SHA”. Sipas deklaratës së palëve në njoftim, Banka Kombëtare e Greqisë S.A, aksionari i vetëm i Banka NBG Albania SHA, synon të largohet nga tregu shqiptar, si rrjedhojë e impenjimeve që ka marrë me Bankën e Greqisë dhe Bankën Qendrore Evropiane në kuadër të planit të saj të rimëkëmbjes dhe ri fokusimit strategjik.

Në dy vitet e fundit Grupi NBG ka shitur filialet në Turqi, Bullgari, Serbi dhe është në proces aktiv për të përfunduar procesin e shitjes në Shqipëri, Rumani dhe Qipro. Gjatë vitit 2018 pritet të vijojë edhe me shitjen e filialit në Maqedoni. “Komisioni i Konkurrencës vendosi të autorizojë shitjen dhe transferimin e aksioneve të Bankës NBG Albania SHA nga Banka Kombëtare e Greqisë S.A tek Banka Amerikane e Investimeve SHA”-thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës. Në këtë mënyrë ekspasioni i nisur nga “ABI Bank” po synon zgjerimin, duke ngushtuar edhe më shumë vështirësitë finaciare që kanë një pjesë e këtyre bankave, të cilat pasi “izolohen” në tregun vendas, detyrohen që të dorëzojnë aksionet dhe emrin e tyre pranë “ABI Bank”.

Ardhja e Ramës në “ABI Bank” dhe aprovimi i menjëhershëm

Kjo “mbarësi” në tregun bankar të “ABI Bank” nuk është krejt rastësi, pasi shumëçka u ka shkuar për mirë në rritjen e finacave dhe blerjen e aksioneve të bankave të tjera, që me emërimin e bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama në bordin drejtues të bankës. Zyrtarisht Linda Rama është pranuar në Këshillin Drejtues të “ABI Bank” më datë 07.01.2016, por në fillim të vitit 2017 prania e saj u pranua publikisht. Hapat që do të ndiqeshin më pas vijuan me aprovimin e Ramës edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila vendosi miratimin paraprak për emërimin Linda Ramas dhe Richard Lukaj në pozicionin e anëtarit të Këshillit Drejtues.

Përveç prishjes së tregut të sistemit bankar, me praninë e bashkëshortes së kryeministrit në një nga bankat e nivelit të dytë, opozita dhe media dyshon se nëpërmjet këtyre bankave po synohet pastrimi i parave të pista, që vijnë kryesisht nga trafiku i drogës dhe më pas do të riaktivizohen në konçensione, e njohur ndryshe si PPP “Partneriteti Publik Privat”. Për kreun e opozitës Lulzim Basha, kjo situatë bëhet me e dyshimtë me implikimin e drejtëpërdrejtë të çiftit kryeministror. “Aspekti i kapjes se ekonomise nga krimi dhe paratë e krimit është partneriteti publik privat PPP, i denoncuar nga PD si Pastrimini Parave te Pista.

Tek PPP po përzihet paraja e drogës dhe e krimit me taksat e shqiptareve. Koncesionet, tenderat, po i fitojnë pak duar. Ata që rëndom njihen si oligarkët. Përqëndrimi nuk po ndodh vetëm në sektorin e koncesioneve, apo në sektorin e lejeve të ndërtimit, por po ndodh edhe në sektorin financiar. Kemi një bankë, me pronarë offshore, që quhet Abi Bank, e cila ka blerë dhe NBG, në një përiudhë kohore të shkurtër”-deklaroi Basha pak kohë më parë.

Nga kompani offshore në banka të suksesshme

Pronarët indirekt të “ABI Bank” rezultojnë të regjistruar në një kompani Offshore. sipas raporteve të krijimit të kësaj banke, NCH Balkan Fund, L.P është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Ishujt Cayman me numër regjistri MC-15214. Në po të njëjtin vend, në ishujt Cayman, është regjistruar edhe kompania tjetër që ka në bashkëpronësi Tranzit sh.p.k, New Century Holdings XI, L.P e cila ka si numër regjistri CR-10711. Këto dy kompani, bashkë me një shtetas shqiptar që është aksioner në kompaninë Tranzit dhe administrator në “ABI Bank”, në vitin 2009, vendosën të krijojnë në Shqipëri kompaninë “Tranzit”.

Pas konsolidimit të saj në Shqipëri, ku operoi kryesisht me blerje pasurish të paluajshtme dhe dhënie kredie, kompania “Tranzit” vendosi të blejë një bankë të nivelit të dytë. Kështu më 12 tetor të vitit 2015, kompania “Iub Holding” me një kapital prej 112 milion euro bëri një marrëveshje për transferimin e kuotave të bankës “Credit Agricole” me kompaninë “Tranzit”. Kjo bankë e cila funksionoi për disa kohë me këtë emër ka një histori të gjatë në tregun financiar shqiptar, duke ndërruar disa herë emër dhe pronarë.

Ajo është themeluar më 2 shkurt të vitit 1999 me emrin Banka Ndërkombëtare Tregtare e Detit të Zi me një kapital prej 3 milion dollarë. Më 10 maj të po atij viti, asambleja e aksionerëve e cila ishte Banka Tregtare e Greqisë vendosi t’i ndryshojë emrin duke e quajtur Banka Ndërtregtare (Shqipëri). Pak kohë më pas, aksionieri vendos të shtojë kapitalin e bankës dhe t’i ndryshojë asaj sërish emrin duke e quajtur Banka Ndërtregtare e Greqisë (Shqipëri).

Më 10 nëntor të vitit 2003, aksioneri merr sërish vendim për ndryshimin e emrit të bankës duke e quajtur tashmë Banka Emporiki-Shqipëri, emër të cilin e ka mbajtur deri më shtator të vitit 2012, kur është shitur te grupi “Credit Agricole” me seli në Francë. Pas këtij transaksioni, banka u quajt Credit Agricole, emër të cilin e mbajti deri më 22 tetor të vitit 2015. Në këtë datë, kjo bankë u shit tek kompania “Tranzit”.

Socialistë të lumtur në tregun bankar

Të etur nga fitimet, ai që provoi ndër të parët të luajë në “bursën e bankave”, ishte deputeti socialist Alfred Peza, që me bashkëshorten e tij u bë aksioner në Bankën Credins. Fitimet ishin të garantuara, por më pas Peza u kryqëzua dhe u procedua penalisht për fshehje të të ardhurave. Kjo i kushtoi edhe rizgjedhjen si deputet i PS-së, ndërsa gjyqi për akuzën e fshehjes së të ardhurave ende vijon. Pa u shuar ky skandal, në skenë del bashkëshortja e kryeministrit, e cila u përzgjodh si anëtare e bordit drejtues të “ABI Bank”.

Tashmë kjo bankë mban në bordin e saj drejtues bashkëshorten e kryeministrit, duke zgjruar edhe më shumë aktivitetin e saj finaciar dhe u renditur ndër bankat me bilanc pozitiv nga viti në vit. Kjo bankë rezulton në pronësi të një kompanie financiare të quajtur “Tranzit”, e cila është themeluar më 30 mars të vitit 2009 si investim i dy kompanive të huaja dhe një shtetasi shqiptar. Pronarët e kompanisë “Tranzit”, e cila ka në pronësi “Abi Bank” janë: NCH Balkan Fund, L.P dhe New Century Holdings XI, L.P.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com