Qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shumë taksa për banesat, bizneset dhe pronat e tyre të tjera, që prej prillit 2018.
Bazuar në ndryshimet fiskale që Qeveria Rama miratoi në dhjetor 2017, taksa mbi pronat do të llogaritet si përqindje e vlerës së tyre dhe jo një taksë në shumë fikse si deri më tani.
Të ardhurat nga kjo taksë do të mblidhen nga pushteti lokal.
Si do të llogaritet taksa e pronës?
Taksa për banesat, bizneset, garazhet e magazinat do të llogaritet si një përqindje e çmimit mesatar fiskal.
Ky çmim është përcaktuar nga qeveria Rama gjatë procesit të rivlerësimit të shtëpive, proces i përfunduar në maj 2017.
Këto çmime reference ndryshojnë në zona të ndryshme të Tiranës dhe janë çmimet që përdoren nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rastet e shit-blerjeve të banesave.
Më konkretisht Tirana ndahet në 11 zona të ndryshme, të cilat brenda tyre kanë disa nën ndarje sipas zonave kadastrale, dhe çmimet e referencës variojnë nga 60 mijë lekë në 190 mijë lekë për metër katrorë, shkruan exit.al.
Taksa për apartamentet është sa 0,05 për qind e çmimit mesatar fiskal të zonës ku ndodhet apartamenti.
Taksa për garazhet e mbyllura, ato që ndodhen kryesisht në katet nëntokësore të pallatit është sa 0,2 për qind e çmimit fiskal të zonës.
Taksa për ndërtesat që përdoren për veprimtari ekonomike është sa 0,15 për qind çmimit fiskal të zonës.
Përkthyer në llogaritje konkrete, për shumicën e familjeve në Tiranë taksa për banesën do të rritet, Po ashtu do të shtohet dhe taksa për garazhet, për të cilët më parë nuk paguhej.
Sa paguanim më parë për një apartament dhe sa do të paguajmë tani?
Taksa për shtëpinë, deri në vitin 2017, 15 lekë për metër katror për një shtëpi të ndërtuar para vitit 1993, dhe 30 lekë për metër katror për një shtëpi të ndërtuar pas vitit 1993.
Pra, një familje që jeton në një apartament me sipërfaqe 100 metra katrorë, kudo në Tiranë, paguante 1500 lekë në vit nëse shtëpia është ndërtuar para vitit 1993, ose 3000 lekë në vit nëse shtëpia është ndërtuar pas vitit 1993. Kjo taksë paguhej e ndarë në 12 muajt e vitit.
Bazuar në formulën e re, një familje që jeton në një apartament 100 metra katrorë të ndërtuar pas vitit 1993, tek zona Komuna e Parisit (ku çmimi i referencës është 107 mijë lekë për metër katrorë), më parë paguante 3000 lekë në vit, ndërsa tani do të paguajë 5350 lekë, pra 2350 lekë më tepër.
Nëse i njëjti apartament prej 100 metrash katrorë do të përdoret për biznes, taksa që duhet paguar është 16 050 lekë.
Nëse familja ka në pronësi dhe një garazh prej 15 metër katrorë, atëherë duhet të paguajë dhe 3210 lekë në vit si taksë për garazhin.
Vetëm në rastet kur qytetarët e Tiranës banojnë në një apartament 100 metra katrorë në ato zona ku çmimi i referencës është 60 mijë lekë (Porcelan, Kinostudion, Linzë, Bregu i Lumit, Allias, “5 maji”) taksa e shtëpisë shkon 3000 lekë në vit, pra e barabartë me taksën aktuale për shtëpitë e pas vitit 1993.
Për të gjithë banorët e zonave të tjera, taksa e shtëpisë në vitin 2018 do të rritet.