Nga Sejmen Gjokoli :
IKE, DOKTOR!
-sot në përcjelljen e Dr. Hito Jaze, në vend të homazhit-
Kishte kohë që luftoje po asnjëherë se lëshove vehten, as një çikë se le të të ikte e qeshura nga buza.
Kurdoherë me fjalën e mjaltosur e me mendjen e kthjellët si ujrat e kristalta të buronjave.
Kështu në Vlorë ku shërbeve një jetë me bluzën e bardhë, kështu dhe kur tu desh që për arësye të shëndetit të lig u detyrove ta lije e të hidheshe përtej detit.
Në tokën që, kur ishe mirë, e çaje detin pa pyetur për lodhje a mundime, në ndihmë të bashkëqytetarëve të tu që u duhej një shërbim mjekësor më i specializuar.
Me shumë njohje, kolegë e miq të fushës brenda e jashtë vendit, me pasionin e pa shtershëm në shërbim të njerëzve në nevojë, me humanizmin e skalitur thellë brenda qënies tënde.
Tërë jetën në shërbim të shëndetit të fëmijëve, shkuar në stetoskopin e veshët e tu breza e breza të tërë, gati për gjysëm shekulli në laminë e pediatrisë.
Me plot njohuri nga më të përparuarat shkencore, me plot grada, studime e botime të fushës.
Ti ishe memorje dhe histori e shërbimit pediatrik të Vlorës por me botimet e tua mbetesh arkivë e hapur e këtij shërbimi.
Me njohuri të larta shkencore, me pasion e dashuri të jashtëzakonshme për profesionin, me dhëmshuri e përulësi urtësore mahnitëse për njeriun, fëmijtë sidomos, skalite si rrallë kush portetin tënd të shërbyesit humanitar.
Ike plot një vit pasi në një nga mjediset e bregdetit të Vlorës pimë kafen së bashku me Vriklën tënde e Teutën time, biseduam gjatë e u çmallëm shumë.
Kishe ardhur nga Italia ku, prej sëmundjes, kalove vitet e fundit të jetës e të duhet të shkoje përsëri.
Atë takim e fiksuam në fotografi, si ta dije që ishte i fundit…
Ike, Doktor, pas na le helmin dhe emrin e mirë.
Lamtumirë, miku ynë i shtrenjtë!