Loading...

Shqipëria zhgënjeu ndaj Norvegjisë, Panucci veproi gabim

Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 0-1 ndaj Norvegjisë në miqësoren e kësaj të hëne në stadiumin “Elbasan Arena” në një ndeshje ku trajneri Panucci eksperimentoi me formacionin dhe me zëvendësimet.

Kuqezinjtë vuajtën disfatën përballë nordikëve në një përballje ku iu deshën 54 minuta për goditjen e parë në portë.

Fraksioni i parë regjistroi epërsinë e lehtë të miqve në lojë, që u shfaqën të rrezikshëm me Eljunusin në jo pak raste. Shiu nuk ndihmoi në shtimin e spektaklit madje kontribuoi në largimin e një pjese të tifozëve nga stadiumi.

Eksperimentet me formacionin nuk dhanë rezultat dhe zëvendësimet e imponuara ndryshuan disi ekipin kuqezi. Kërcënimi i parë në portën e Niland erdhi në minutën e 54 në goditjen me kokë të Sadikut. Strakosha shpëtoi portën në një tentativë të miqve duke neutralizuar gjithçka përballë Eljunusi.

Në skajin tjetër një rrëmujë në zonë mund të sillte golin e parë por Ajeti dhe më pas Xhaka nuk arritën të prishin ekuilibrat.

Në momentin më të mirë të kuqezinjve, neglizhenca në prapavijë solli golin e Rosted, i pamarkuar në zonë që bëri të vlejnë centimetrat e tij mbi të tjerët në një goditje këndi. Grezda nga e majta e sulmit provoi të spikaste por goditja e tij ishte mbi traun e portës ndërsa epilogu i humbjes ishin mrekullitë e Strakoshës në finale, me mbrojtjen të dorëzuar pa kushte.

I pyetur në konferencë shtypi Panucci tha:

U duk sikur u gabua gjithçka në fushë, madje ndryshuat 3 herë modulin në fushë…
Panucci: E ndërruam 2 herë, por herën e dytë për t’u bërë më të rrezikshëm. Gjithsesi, kemi bërë shumë pak për të fituar ndeshjen.

Patët dëshirë të fitonit, por skuadra nuk u përgjigj në fushë…
Panucci: Besoj se në këtë moment shumë lojtarë nuk janë mirë fizikisht dhe kjo u pa. Norvegjia bëri diferencë vetëm në aspektin fizik, pasi na dominoi.

E nisët me 4-1-4-1 dhe pastaj hoqët një mesfushor, për të kaluar në 4-4-2. Pse kjo lëvizje?
Panucci: E kemi nisur me 4-3-3 dhe në pjesën e dytë me 4-3-1-2, ndaj nuk e di çfarë ndeshjeje keni parë. Ky ishte ndryshimi i vetëm taktik.

Asnjë gjuajtje në portë dhe dalja e parë e rrezikshme, në minutën e 43-të. Çfarë ndjesie ju dha kjo ndeshje?
Panucci: Kemi krijuar shumë pak, sepse lojtarët nuk ishin mirë fizikisht, ndërsa dy prej tyre ishin debutues dhe nuk ia dolën. Morëm disa indikacione në këtë takim, qofshin pozitive apo negative.

Pse merrni lojtarët që nuk kanë minutat e duhura dhe jo ata që janë më në formë?
Panucci: Nuk është se kemi 200 lojtarë për të përzgjedhur. Gjithsesi kërkoj t’i mbështes dhe t’i ndihmoj. Gjithsesi, nëse do të ishim në formën e duhur, do të flisnim për një tjetër ndeshje.

Çfarë përfituat nga kjo ndeshje?
Panucci: Vura re që Ramadani bëri një ndeshje mjaft të mirë dhe Bare ka autoritet për të luajtur. Kuptova se jemi shumë të brishtë në mbrojtje, pasi Mavraj dhe Ajeti po luajnë shumë pak. Edhe minutat e pakta të Sadikut, ndikojnë në formën e tij.

Qaka dhe Xhaka nuk ia dolën të marrin topin mes mbrojtjes dhe mesfushës, por nuk ia dolën…
Panucci: Jo, duhej ta merrte Ramadani dhe jo këta të dy. Gjithsesi, edhe ky nuk ia doli ta bëjë si duhet shpërndarjen e lojës në krah.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com