Loading...

SHBA, Gjermania, Britani dhe Franca deklaratë të ashpër kundër Rusisë

Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë publikuar një deklaratë të përbashkët këtë të enjte, përmes së cilës dënojnë ashpër sulmin me agjent nervor ndaj një ish-spiuni rus në Angli, e duke fajësuar Moskën për të.

Moska ka mohuar vazhdimisht përgjegjësinë për sulmin ndaj Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia. Britania dëboi 23 diplomatë rusë një ditë më parë, pasi Kremlini dështoi të jepte llogari sesi një agjent nervor i prodhuar në Rusi ishte përdorur ndaj tij në Salisbury, megjithatë edhe Moska pritet të “hakmerret” në të njëjtën mënyrë.

“Ne, krerët e Francës, Gjermanisë, SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar, shprehim neverinë për sulmin e ndërmarrë ndaj Sergei e Yulia Skripal në Salisbury të Britanisë më 4 mars”, thuhet në deklaratë.

“Përdorimi i këtij agjenti nervor ushtarak, i prodhimit rus, përbën përdorimin për herë të parë të një agjenti kimik në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore. Ky është një sulm ndaj sovranitetit të Britanisë së Madhe dhe përdorimi i një agjenti të tillë nga një shtet përbën një shkelje të qartë të Konventës së Armëve Kimike, si dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar. Ky veprim kërcënon sigurinë për të gjithë ne”, vijon më tej deklarata.

Katër kombet në fjalë i kërkuan Rusisë të japë të dhënat e plota të programit për agjentin nervor “Novichok” në favor të Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW).

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com