Loading...

Sanitari i rralle qe po shduket – Kali i qyqes

Dikur Shqipëria ka pasur katër lloje shkabash: shkabën, shkabën e zezë, shkabën mjekroshe dhe Kalin e Qyqes. Për tre prej këtyre llojeve mund të themi se janë zhdukur thuajse tërësisht. Ka mbetur vetëm një.

Shpesh në Shqipëri shkabat ngatërrohen me shqiponjat, por në fakt këto janë dy lloje të ndryshme shpendësh. Shqiponjat janë grabitqare, ndërsa shkabat ushqehen vetëm me kërma. Vetëm në kushte ekstreme urie ato mund të konsumojnë insekte, hardhuca apo breshka. Sado të duket si diçka e frikshme, në fakt shkencërisht shkabat konsiderohen si sanitare të mjedisit, pasi e pastrojnë atë nga mbetje të tilla. Është e çuditshme, por shkabat jo vetëm nuk sëmuren, por as nuk përçojnë sëmundje, sado konsumojnë kërma të ndryshme.

Ekspertët theksojnë se në vendet ku jetojnë shkabat, cilësia e mjedisit në tërësi është shumë e mirë, ndërsa në ato pjesë ku janë zhdukur do të thotë se cilësia e tij është përkeqësuar.
Dikur në qiejt shqiptarë ishte e zakonshme të shikoje shkaba duke qenë se ato ishin të përhapura në të gjithë territorin, ndryshe nga sot kur numri ka rënë ndjeshëm ose më mirë kur tre specie nga ekspertët konsiderohen thuajse të humbura.

Sot në Shqipëri mund të gjesh vetëm Kalin e Qyqes, edhe ai sipas shifrave të monitorimeve më të fundit ka shumë pak çifte. Kjo situatë alarmante lidhet pashmangshmërisht edhe me përkeqësimin e situatës mjedisore në këto 26 vite.

Pikërisht se është një specie në rrezik, ekspertët janë të rezervuar lidhur me vendbanimet e tyre në zona të ndryshme të Shqipërisë. Ata thonë se jo pak herë kanë gjetur të tillë të vrarë nga gjuetarë abuzivë apo të mbyllur nëpër lokale sikur të jenë zogj kafazi…

Kali i Qyqes dallohet për shkak të formës së tij të veçantë, të krahëve të gjerë e bishtit të shkurtër në formë pyke. Ai llogaritet si një ndër shpendët më të mëdhenj në Ballkan me një gjatësi në hapje krahësh që shkon rreth 2 metra.

Për ata që nuk e kuptojnë çfarë do të thotë zhdukja e shkabave, mjafton të rikujtosh edhe njëherë se ata janë pastruesit apo ruajtësit më të mirë të cilësisë së mjedisit. Një mjedis që Shqipëria në këto 26 vite e ka kthyer në një tokë të djegur, duke zhdukur nga territori jo thjesht shpendët që konsumohen restoranteve nëpër meny apo varur mureve, por edhe këto specie të tjera shumë të rëndësishme…

M.M

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com