Alket Hyseni u akuzua sot nga demokrati Flamur Noka se ka vjedhur 11 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi nga familja Bua.
“Pasi ka blerë 11 mijë metra katrorë tokë me dokumenta të fallsifikuar, Alket Hyseni, ia kaloi atë mikut të Edi Ramës, Gon Papulit. Ku i gjeti milionat një nëpunës shteti, ish-doganieri Alket Hyseni, për të blerë 11 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi apo të tjera në Tiranë?,” akuzoi më herët Noka.
Statusi i plotë i deputetit Alket Hyseni:
Hedh një i marrë një gurë në lumë dhe mblidhen një tufë të mençurish, por nuk e nxjerrin dot
Meqë me grupin e parë u shfaq edhe Shqupi, më duhet të bëj një sqarim për të gjithë miqtë e mi, votuesit dhe mbështetësit, si dhe për opinionin publik.
Çdo qindarkë e pasurisë sime dhe e familjes sime është vendosur me shumë mund dhe djersë, duke qenë totalisht korrekt me ligjin dhe moralin shoqëror.
Ata që më njohin e dinë që prej moshës 18 vjeç e deri sot nuk kam reshtur së punuari duke e mbyllur angazhimin çdo ditë afër mesnatës, madje shpesh herë përtej.
Kam ngritur bizneset e mia familjare për të cilat jam krenar sepse kanë rezultuar tepër të suksesshme dhe kanë kontribuar me qindra milionë lekë si taksapagues në buxhetin e shtetit, e patjetër duke sjellë edhe fitime të kënaqëshme.
Ska qenë pasuria qëllimi në vetvete, ndaj kam shpenzuar shumë kohë dhe mund për formimin tim intelektual dhe kam dhënë kontributin tim modest në jetën shoqërore, tashmë edhe në atë politike.
Akuzat e montuara duke instrumentalizuar një zonjë, i refuzoj me neveri.
Nuk e njoh as zonjën dhe asnjë nga familja apo fisi i saj (të paktën në dijeninë time), me të cilët mësova se është në konflikt familjar prej shumë vitesh.
Kam shkëmbyer disa apartamente, njësi dhe garazhe të fituara para vitit 2010 nga të ardhura të ligjshme dhe të deklaruara, me një sipërfaqe toke bujqësore, të cilën e kam shitur vitin e kaluar. Nuk kam qenë në detyrën e Task Forcës dhe as ka lidhje direkt apo indirekt me atë detyrë, për të cilën jam krenar, unë dhe 10 djem e vajza ekspertë të shkëlqyer, me rezultatet që arritëm duke zbuluar, bllokuar dhe nisur rikuperimin e rreth 3 miliardë USD pasuri publike të grabitura nga ata që sot akuzojnë politikisht. Shumë nivele janë implikuar dhe kanë frikë nga hetimet e nisura, e ndoshta ky është shkaku i nisjes së baltës dhe shpifjeve ndaj meje.
Çdo veprim është bërë në përputhje me proçedurën dhe ligjin dhe duke paguar detyrimet shtetërore.
Toka bujqësore është fituar nga një AMTP(tapi) në emer të kunatit të zonjës që akuzon, e marrë para dhjetëra vitesh dhe e regjistruar me vendim gjykate. Është transferuar me kontratë noteriale para disa viteve tek një person i tretë, përpara se të kalonte në pronësinë time të përkohshme.
Nuk e njoh fare përfituesin fillestar të kësaj prone (kunati i zonjës Bua).
Ndërkohë zonja nuk ka përfituar sipërfaqe toke pasi nuk ka qenë banore e fshatit Dhërmi në vitin 1991, dhe nuk i takon sipas ligjit.
Nëna e bashkëshortit të zonjës, Athina Bua, ka përfituar tokë bujqësore si banore e fshatit nëpërmjet një AMTP tjetër që ska lidhje me të kunatit. Janë regjistruar me vendim gjyqësor në kohën e qeverisjes së PD ku përcaktohet qartë se janë parcela të ndryshme.
Për këtë sipërfaqe të AMTP-së së dytë ka lindur konflikti familjar pas vdekjes së nënës së tyre, lidhur me trashëgiminë testamentare.
Zonja Irini Bua dhe bashkëshorti i saj, rezulton se i kanë humbur disa beteja gjyqësore dhe kanë bërë disa kallëzime penale në vite ndaj shumë personave dhe institucioneve, madje edhe ndaj meje, por që janë pushuar si të pabazuara.
Nuk përbën interes për mua kush fiton në konfliktin e familjes Bua, por fakti është që ska asnjë lidhje me mua.
Toka e pretenduar nga zonja akuzuese rezulton akoma e bllokuar në hipotekë si pasojë e një procesi të ri gjyqësor mes tyre dhe nuk është transferuar asnjëherë.
Ftoj zonjën të mos bëhet instrument për konsum politik dite, me synim baltosje dhe shmangie të vëmendjes nga problemet e rënda të opozitës që lidhen me financimet me para të pista dhe të dyshimta nga oligarkë rusë, konfliktet dhe shtërpësia e ideve. Ftoj opozitën gjithashtu të ngrihet në lartësinë e duhur dhe të japë llogari penale, morale dhe politike për faktet që e implikojnë.
Këto shpifje të ndyra nuk mund të baltosin figurën time apo të mazhorancës dhe nuk mund të pengojnë ecjen tonë përpara pavarësisht lehaqenëve të çdo kategorie dhe fushe.
Taktika e shpifjes me moton “të gjithë janë njësoj”, nuk zë vend tek shqiptarët që nuk janë të verbër dhe të paditur, por shohin dhe prekin rezultate çdo ditë edhe pse ka akoma shumë për tu bërë.
Mentaliteti komunist, i disa kazanëv politikë dhe mediatikë, duke shigjetuar biznesin e ndershëm e kontribues në ekonominë kombëtare dhe buxhetin e shtetit, si dhe ideja e politikanëve proletarë, janë lënë pas para 27 vitesh.
Çdo fjalë e mësiperme është e bazuar në dokumenta zyrtarë, vendime gjykatash dhe prokurorie dhe mund ti vihen në disppzicion kujtdo.
Ndërkohë do kërkoja të njëjtin standard nga PD, pra publikimin për opinionin dhe organet ligjzbatuese të dokumenteve, si dhe shpjegimet lidhur me akuzat tashmë të provuara ndërkombëtarisht për aferën 1 milionë dollarëshe të parave të pista, të padeklaruara, e për më tepër, nga burime interesash antikombëtare.