Porositë e kryesocialistit Edi Rama kanë qenë të shumta këtë fillimjave në mbledhjen e grupit parlamentar të selisë rozë, që u parapri me mbledhjen e Kryesisë së grupit. Burimet i thanë “News24” se në ditët në vijim, Rama ka paralajmëruar analizat 6-mujore të çdo ministrie, për të pare se ku është puna e qeverisë deri më tani.
Po të njëjtat burime, pohojnë se socialistët janë nxitur që të ndjekin me vëmendje çështjen e financimit rus për Partinë Demokratike, në këmbim të lobimit në favor të saj.
Nga ana tjetër, në mbledhjen e grupit, deputeti Taulant Balla mësohet të ketë prekur edhe çështjen e akuzave të Partisë Demokratike në adresë të deputetit Alket Hyseni, për çështjen e pronave në Dhërmi.
Ai mësohet të ketë thënë se deputeti Hyseni duhet të sqarojë situatën e tij. Ky i fundit, mësohet se ka rrëfyer që pronat e tij vijnë si pasojë e shkëmbimit në natyrë.
“pronën e shkëmbeva në natyrë”- mësohet se është shprehur Hyseni.
Porosi u është dhënë edhe deputetëve të tjerë socialistë për t’u shpërndarë nëpër zona, dhe që të jenë aktivë, dhe pse zgjedhjet lokale janë pothuajse një vit larg.