Shqipëria çdo vit shfrytëzon rreth 3 milion metër kub lëndë drusore për ngrohje, duke sjellë kështu një degradim të fondit pyjor.
Pavarësisht se është nën moratorium, ky i fundit nuk ka ndikuar ndjeshëm në parandalimin e prerjeve pa kriter, sidomos në zonat e thella malore.
Sipas ekspertëve të fushës, vetëm në vitin 2016 sasia e druve të zjarrit të prera rezultoi të ishte rreth 2.99 milion, sasi kjo që është më shumë se dyfishi i volumit të pyjeve që rriten.
Abdulla Diku, ekspert i pyjeve: Nuk është se ka ndonjë zhvillim pozitiv moratoriumi. Në fakt, shqiptarët vijojnë që të përdorin masivisht lëndën drusore për ngrohje, me dru zjarri. Janë dy studime, njëri i FAO-s i qershorit të vitit 2017, i cili rezulton me një shfrytëzim të pyjeve që shkon në 2.6 milion metër kub dru në vit. Një tjetër astudim i bankës Botërore që përfundon këto ditë, që tregon se kemi 3 milion metër kyub dru zjarri që ne shfrytëzojmë çdo vit
Abdulla Diku, ekspert i pyjeve, shpjegon, se bilanci mes rritjes së pyjeve dhe prerjes është më minus 1.5 milion . Nëse këtij bilanci i shtojmë edhe sasinë e pyjeve që priten për lëndë ndërtimi dhe lëndë që përpunohet për sektorin e industrisë së drurit, por dhe sasinë e pyjeve që dëmtohet prej zjarreve, ky bilanc është 2-3 herë më i madh.
Abdulla Diku, ekspert i pyjeve: Gjendja e pyjeve në Shqipëri nuk është aspak e mirë. Nuk është aspak e mirë në të gjitha aspektet, si në atë të siëprfaqes së pyjeve që ka ardhur duke u tkurrur vit pas viti ashtu edhe në volumin e pyjeve. Agjencia Europiane e Mjedisit raporton se në Shqipëri, sasia e pyjeve që priten është 3-5 herë më i shumë sesa ajo që rritet.
Për ekspertët, nëse ecet me këtë ritëm, në pak vite Shqipëria mund të kthehet në vendin e vetëm në Europë që rrezikon ekzistencën e fondit pyjor.
Abdulla Diku, ekspert i pyjeve:Nga të gjitha pikëpamjet, pyjet në Shqipëri paraqiten në nivelin më të degraduar se në çdo vend tjetër europian. Nuk ka asnjë vend tjetër europian ku ne të krahasohemi me to në drejtim të përdorimit të qëndrueshëm të pyjeve. Fjala “Përdorim i qëndrueshëm i pyjeve” nuk ka asnjë lidhje me situatën në Shqipëri.
Sipas INSTAT, në vitin 2016 Shqipëria ka rezultuar të ketë rreth 1.05 milion hektar me pyje, me nje volum lënde drusore rreth 55 milion .
Pyjet konsiderohen mjaft të degraduara, duke pasur një volum prej vetëm 52 ha, ku vetëm gjatë 10 viteve të fundit, 2006-2016, fondi pyjor i vendit është pakësuar me afro 26 milion lendë drusore, me nje ritëm pakësimi prej 2.5 milion vit, ose rreth 32% të fondit pyjor kombëtar.