Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është e angazhuar t’i japë fund problemeve me pronësinë të gjithë institucioneve e kultit në vend. Deklaratën kreu i ekzekutivit e bëri nga Elbasani ku i dorëzoi kishës katolike Shën Piu X certifikatën e pronësisë
“Ne, për fat të keq, trashëguam një situatë apokaliptike për pronën e komuniteteve fetare dhe prej disa vitesh jemi angazhuar në dhënien e titujve të pronësisë, duke legalizuar godina, kisha, apo xhami të ndërtuara, të rindërtuara nga hiri prej besimtarëve, prej komuniteteve, prej individëve bujarë dhe në të njëjtën kohë duke bërë regjistrimin vullnetar të pronësisë së tyre. Ka ende për të bërë, por besoj që tanimë jemi më afër fundit sesa fillimit shumë të ngatërruar të kësaj historie,” deklaroi Rama.
Nunci Apostolik në Shqipëri, Charles John Brown i ka shprehur Kryeministrit Edi Rama mirënjohjen e veçantë për mbështetjen edhe në emër të Papa Franceskut.
“Pikë së pari do doja t’ju thoja se sa mirënjohëse është Kisha Katolike në Elbasan për gjithçka që Kryeministri ka bërë për të na ndihmuar me çështjen tonë të pronësisë këtu. Në emër të Papa Françeskut, e falenderoj Kryeministrin për ndërhyrjen dhe mbështetjen e tij. Sot është një ditë e bukur për të qënë këtu në Elbasan, ndërsa festojmë ditën e parë të verës dhe ju falenderoj edhe njëherë për gjithçka keni bërë. Faleminderit Kryeministër!” – deklaroi nunci apostolik Charles John Broën.
Nga ambientet e kësaj kishe Kryeministri Rama uroi edhe besimtarët e pranishëm për ditën e Verës.