Policia serbe sekuestron librat artistikë shqip që hynë nga Kosova dhe keqtrajton dy shkrimtarë shqiptarë.
Rraham Hyseni dhe Bilall Maliqi janë bllokuar dje në kufi ndërmjet Preshevës dhe Kosovës, vetëm se kishin me vete disa libra të gazetarit dhe shkrimtarit Fehmi Ramadani, që do t’i shpërndanin nëpër shkolla apo edhe në individë.
Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, dy shkrimtarët kishin paraparë një aktivitet në shkollat e Preshevës, por ata janë ndaluar pa asnjë shpjegim, edhe pse nuk kanë shkelur asnjë ligj.
Fehmi Ramadani, gazetar dhe veprimtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të shqiptarëv të Preshevës thekson për tesheshi.com se “ndërsa në Graçanicë jepet një dramë për nder të Sllobodan Milosheviçit, policia serbe vazhdon të arrestojë shqiptarët vetëm se festojnë 7 Marsin.
Shteti i Kosovës, së bashku me institucionet e saj duhet të reagoj që ky shtet fqinj të ndal maltretimin e panevojshëm të intelektualëve të saj, të ndal diskriminimin e librave shqip, por dhe të drejtat e shqiptareve të rajonit të Medvegjës e Luginës. Ky shtet duhet të dekrimainalizohet nga njerëz të së kaluarës, si në artë, kulturë e më gjerë, ndryshe kjo politikë diskriminuese më shumë i dëmton interesat e tyre.
Kjo duhet të jetë hera e fundit që ky pushtet në Serbi kontrollon dhe ndalon libra në gjuhën shqipe, sepse ajo është e drejtë që nuk guxon të mohohet kurrë ndaj shqiptarëve të rajonit që të lexojnë, mësojnë dhe flasin në gjuhën e tyre.
Padyshim, kjo politikë duhet të denohet edhe nga bota e artit dhe politika antidiskriminuese e ketij regjimi dhe më gjerë”.